Serbia e 30 në rang global sa i përket armatimit. Por sa e gatshme është Kosova të mbrohet? Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë ushtri më të madhe apo më të fuqishme se Serbia tani. E ardhmja është e hapur, natyrisht, por ne duhet të bëjmë kapacitete dhe aftësi ushtarake të tilla që sulmin e Serbisë e bëjnë të paleverdishëm. Ata e provuan me njësitë paramilitare me dhjetëra terroristë më 24 shtator. Ata na e vranë në pritë rreshterin tonë Afrim Bunjaku, por u vranë edhe 3 terroristë serbë dhe ikën me turp.

4 depo armatimi i kemi shkatërruar në 2023, më e madhja me mbi 5 milionë euro armatim dhe municion, në Zveçan. Gjithashtu, i kemi mbyllur 27 rrugë ilegale nga 35 gjithsej. Rrugët e tjera ilegale i kemi mbyllur në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kemi shkatërruar 16 laboratore droge, 9 prej tyre në veri dhe 6 laboratore për kriptovalutat. Krimi i organizuar, kontrabanda dhe agresiviteti serbomadh i Beogradit nuk janë dy gjëra të ndryshme.

Duke luftuar krimin dhe korrupsionin, në fakt, ne po mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe po s’mbrapsim Serbinë. Synimi jonë është të kemi një ushtri, e cila na mbron, por dhe që sulmin eventual e bën të paleverdishëm. Unë besoj se Serbia e ka kuptuar këtë gjë.

Natyrisht, ne kemi edhe partnerët, miqtë tanë, kemi Republikën e Serbisë, kemi shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n, e cila edhe pse nuk na ka pranuar në gjirin e saj, ne e kemi të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”, tha Kurti.

Më tej, Kurti komentoi edhe reagimet e Serbisë pasi Kosova siguroi “Javelin”-ët nga Amerika. 

“Ata i kanë 14 avionë luftarakë Mig-29, 8 i kanë marrë nga Bjellorusia, 6 nga Federata Ruse, kanë blerë edhe sistemin FK3 që e ka për eksport Kina dhe prodhojnë armatim në fabrikat e tyre. Nuk ishim ne me Afrim Bunjakun në Vranje, por edhe është Radoicic, i cili erdhi në Zveçan.

Ata nuk mund të pretendojnë që janë të sulmuar nga Kosova. Në mënyrë që mund të sulmojnë pretendojnë se janë të rrezikuar nga ne. Kjo i ngjan shumë skenarit të Kremlinit, i cili thoshte se Ukraina po përgatitet për sulm dhe ata nisën pushtimin nga ana tjetër”.

Kurti tha më tej se Serbia është në duart e Rusisë dhe nëse Putinit do t’i duhej një konflikt i ri, mund ta bëjë këtë me anë të Serbisë dhe jo duke ndarë ushtrinë e tij.

“Unë besoj se ka më shumë ngjashmëri sa duket mes Beogradit zyrtar dhe Kremlinit. Nuk është e rastësishme që Akademia në Serbi, mediat në Serbi, Kisha ortodokse, policia, ushtria, janë aq shumë të përfshira nga elementët e Putinit dhe andaj edhe i intereson Moskës që në një moment të caktuar të ketë një zgjerim të konfliktit.

Ata e kanë Ballkanin të përshtatshëm meqenëse e kanë një regjim që i mbështet ata. Nëse Federata Ruse do të duhet të fillojë një luftë të re, atëherë do të duhet ta ndajë ushtrinë për atë luftën e re, ndërkohë që në Ballkan këtë gjë mund t’ia delegojë Serbisë. Prandaj, kërcënimi serb është më i madh ngase duket. Megjithatë, unë besoj se kërcënimi në të njëjtën kohë ka një lloj efekti të paparashikuar nga ana e tyre. Kjo po ndërton mbrojtjen e imunitetit të Kosovës”.

Për Kurtin, nuk do të përsëritet një rast i ngjashëm me Basnjskën, por rreziku është që serbët të përdorin mënyra të tjera me qëllim të njëjtë.

“Nuk besoj se ata do ta përsërisin Banjskën, por më shumë do të provojnë të bëjnë një gjë me qëllimin e njëjtë, por me mënyra të tjera. Ata e kanë marrë mësimin më 24 shtator dhe shumica dërrmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës.

Ata janë multimilionerë në Serbi sepse janë pjesë e krimit të organizuar. Kriminelët e luftës nga vitit 90 u patën bërë kriminelë të paqes në këtë shekull dhe tani dëshirojnë luftë që bëhet si strehë lirie për ta. Kriminelët e duan luftën sepse në njëfarë mënyrë aty krimi i tyre fashitet”, tha Kurti./Tema