Banka e Shqipërisë ka nisur punën për hartimin e një rregulloreje të re adresuar institucioneve financiare jobanka, për mbrojtjen e qytetarëve, nisur nga problematika e shfaqur së fundi për mbledhjen e kredive me vonesë.
Drejtori i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Derralla në një intervistë për mediet, tha se në këtë drejtim Banka Qendrore do të asistohet nga Banka Botërore.
“Banka e Shqipërisë edhe në situatën e fundit të krijuar, pra duke parë zhvillimet dhe le të themi abuzimet, ka menduar për një rregullore të re e cila do të jetë tërësisht në mbrojtje të konsumatorit. Kjo rregullore do t’i drejtohet kryesisht institucioneve financiare jobanka, por sigurisht që do të përfshijë edhe bankat në të. Kemi mbështetjen e Bankës Botërore dhe është menduar një kufizim i bazës së klientelës së këtyre institucioneve. Banka Botërore tashmë po merret me këtë rregullore dhe ne shpresojmë shumë që brenda vitit ta kemi funksionale”, tha Derralla.
Pas vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencave të dy institucioneve financiare jobanka, MicroCredit Albania dhe Final, po kontrollohen portofolet e klientëve dhe një numër i madh kredish performuese do të kthehen në sistemin bankar, ndërsa me kreditë e tjera do të punojë likuidatori./ata