Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko tha sot gjatë një interviste televizive, se prezantimi i programit politik një vit përpara zgjedhjeve është shenjë e emancipimit të një partie politike.
Sipas tij, programi i prezantuar nga Partia Demokratike më 1 qershor, gjatë Kuvendit Kombëtar të selisë blu, është tërësisht i realizueshëm.
“Është dhe një moment emancipues për shoqërinë tonë, sepse duke e filluar debatin shpejt, do të bësh të mundur që edhe ata që sot janë indiferentë ndaj lajmit që Partia Demokratike ka nxjerrë një program, nesër do të bëjmë duke e vazhduar dhe e thelluar debatin, nesër do të bëhen kuriozë të dëgjojnë çfarë përfitojnë, ku janë të përfshirë në këtë program, ku gjenden interesat e mia në këtë program të kësaj force”, tha Bejko.
Nënkryetari i PD, tha më tej se lufta ndaj korrupsionit është pikë e panegociueshme në program.
“Pika e panegociueshme për mua është antikorrupsioni, pra merr reforma strukturore e shtetit që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe me ndarjen e qartë të pushteteve. Këtë e kemi tek pika e parë e programit të Partisë Demokratike”, theksoi Bejko.
Ai tha se PD do të vazhdojë mbështetjen për reformën në drejtësi.
“Ne kemi propozuar jo vetëm që do ta mbështesim drejtësinë e re dhe do të krijojmë të gjithë klimën që kjo drejtësi të zhvillohet dhe të punojë si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu dhe në aspektin e burimeve financiare, por edhe në ndërtimin e godinave të infrastrukturës. Se pa këto kushte, nuk punojmë dot, nuk jemi efikasë në reforma”, përfundoi Bejko./ata