Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani kuqezinjtë janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Europianit “Gjermani 2024”.

Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau, mesfushori i Kombëtares kuqezi, Ylber Ramadani doli në një konferencë për mediat ku foli për atmosferën fantastike në kampin kuqezi, konkurrencën në skuadër, ndeshjen me Italinë, sezonin fantastik në aspektin personal dhe disa tema të tjera.

“Atmosfera është fantastike. Dje erdhëm në Gjermani, sot jemi pushim. Dje kur zbritëm në Gjermani, ishte një pritje fantastike, si në aeroport edhe këtu në hotel. Është një ndjenjë fantastike”, tha ai.

Për konkurrencën në skuadër, Ramadani u shpreh se, “konkurenca bën mirë në çdo ekip jo vetëm në Kombëtare. Duhet të jemi në 100% në maksimum sepse luajmë me skuadra të mëdha. Nuk ka rëndësi se kush luan, mjafton të bëjmë më të mirën”.

Për ndeshjen me Italinë, mesfushori kuqezi tha se,”është një ndeshje shumë e veçantë, luajmë kundër kampionëve në fuqi të Europës. Duhet të hyjmë në fushë ta bëjmë maksimumin, të luftojmë për çdo pikë. Të japim 100% nga vetja dhe të tregojmë veten. Të flasim në fushë”.

Sa i përket rrugëtimit të karrierës deri në Kampionatin Europian, Ramadani tha se, “për mua është një ëndërr që është bërë realitet. Unë gjithmonë kam punuar dhe do të bëjë maksimumin që të arrijë akoma nivele më të larta dhe shpresoj që ta bëjmë edhe në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm”.

I pyetur nëse ka ruajtur energji për sfidat e Europianit, Ramadani theksoi se, “normalisht, kur vij në Kombëtare nuk e shikoj energjinë, dua të hyj në fushë, ta bëj maksimumin dhe të jap gjithçka për këtë fanellë”.

Për miqësoren ndaj Azerbajxhanit, Ramadani tha se, “ishte një ndeshje ku ne nuk luajtëm vetëm në kundërsulm. Taktikën e vendos trajnerit, ne bëmë detyrën tonë dhe mundëm Azerbajxhanin. Nuk ishte një ndeshje që përdorëm vetëm kundërsulmet. Takitën në ndeshjen me Italinë do ta vendosë trajneri”.

Sa i përket sfidave të Spanjës dhe Kroacisë, ai u shpreh se, “Spanja dhe Kroacia janë ekipe shumë të forta dhe i kemi ndjekur. Ndoqëm sfidën Portugali – Kroaci, i pamë si luanin. Por ne do të hyjmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin, jo thjesht me të thënë, por duhet ta bejme edhe në fushë këtë gjë”.

I pyetur se sa i ndihmon fakti që një pjesë e madhe e lojtarëve luajnë në Serie A, Ramadani tha se, “na ndihmon shumë në ndeshjen me Italinë, sepse pothuajse çdo lojtar të Italisë ne e njohim se si luan, na ndihmon taktikisht. Do të jetë një ndeshje e veçantë, spese janë lojtarë me kualitet shumë të lartë por ne e dime sepse jemi përballur me ta gjatë kampionatit”.

Për kalendarin i ndeshjeve, Ramadani theksoi se, “të treja këto ndeshje janë të forta, luajmë përballë kampiones së Europës, kampiones së botës, Kroacisë, ekip gjysmëfinalist në Europë dhe Botëror. Janë ndeshje të forta, por ndeshjet dallojnë nga njëra-tjetra. Ne do të hyjmë në fushë të marrim rezultatin që na duhet për të vazhduar tutje”.

I pyetur nëse lojtarët ndihen të favorizuar ngaqë nuk kanë presion, ai tha se, “gjithmonë më ka pëlqyer kur nuk na kanë vlerësuar sepse na motivon edhe më shumë. Në heshtje mund t’i thyejmë të gjithë”.

Ai u shpreh se ndaj Italisë do të donte “një gol në minutën e 85-të, që ta mbyllnim sa më mirë”./ata