Një 60-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar nga Gjykata me rreth 7 vite burg pasi ndihmonte emigrantët të kalonin ilegalisht kufirin, është arrestuar në Pogradec.

 

 

Policia njofton se bëhet fjalë për shtetasin Eduart Elmasllari.

 

Njoftimi i policisë:

 

Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.

 

I dënuar me rreth 7 vjet burgim, si pjesëtar i një grupi kriminal që ndihmonte emigrantë, në mënyrë të vazhdueshme, për të kaluar ilegalisht kufirin, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari.

 

 

Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Liqeni”.

 

Si rezultat i këtij operacioni, me mbështetjen e inteligjencës informative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:

 

-Eduart Elmasllari, 60 vjeç, banues në Pogradec.

 

Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer më shumë se një herë, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

 

 

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.