Në Amfitetarin e Akadamisë së Arteve nisi edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, me pjesëmarrjen e 39 filmave nga 25 vende të botës.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë artistë, kineastë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Evropa dhe bota, pjesëtarë të trupit diplomatik, politikanë, personalitete të kulturës dhe arsimit, përfaqësues të institucioneve dhe medias.

Drejtori i festivalit DEA OPEN AIR, Edmond Topi përshëndeti të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen për qëndrueshmërinë e markës DEA në secilin prej edicioneve të veta.

“Pasi kemi lënë 10 vjet prapa, kemi 10 herë më shumë kurajo të shohim përpara: për më shumë kontakte, më shumë shkëmbime, më shumë produkte cilësore dhe forca të bashkuara në emër të njerëzores, të bukurës, sublimes, në emër të së ardhmes dhe gjithçkaje, që na bashkon. Festivali është një platformë e rëndësishme ku talenti dhe kreativiteti marrin jetë, duke krijuar një hapësirë për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Topi.

Drejtoresha artistike e festivalit, Mirela Oktrov, duke iu referuar thelbit të DEA-s dhe kontributit të festivalit në shoqëri, tha se “festivalet e filmit janë dhe platforma rituali dhe audience, mundësi për kinema të të gjitha moshave dhe interesave, akses në filma që ndryshe, s’të bie rasti t’i shohësh. Po festivali është dhe zgjedhje. Festivali, që ne bëjmë, është festivali i zgjedhjes sonë, festivali, ku do të kishim dashur të merrnim pjesë edhe vetë, në rastin tonë, një festival i orientuar nga përmbajtja, programi dhe interesi për mjeshtërinë”.

Oktrova theksoi gjithashtu, se DEA tashmë ia ka dalë të kthehet në një markë të qëndrueshme oferte filmike të orientuar sa nga kinemaja cilësore aq edhe nga tentativa e vazhdueshme për të tërhequr publikun në një vend, ku kinemaja vazhdon të mungojë në pjesë të konsiderueshme të tij.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi tha se është një mik i kahershëm i DEA dhe se bashkia do të vazhdojë ta mbështesë.

“Tirana tanimë përveçse është një qendër zhvillimi, turizmi kulture dhe sportesh, falë DEA OPEN AIR këto 5 ditë do të kthehet në qendrën e kinematografisë botërore. Ne do të jemi bashkë sërish vitin që vjen”, u shpreh Seferi.

Konkurimi në festival zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, marrin pjesë filma nga Italia, Portugalia, Turqia, Moldavia, Kosova dhe Gjermania,  në Seksionin e Filmit Studentor – 11 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër – 19 filma nga 15 vende të botës.

Kontributet filmike vlerësohen nga ana artistike nga dy juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.

E gjithë oferta filmike e këtij edicioni të DEA OPEN AIR është e orientuar fort nga individi, sfidat e tij marrëdhëniet e tij me veten dhe botën, luftërat e tij të vogla dhe të mëdha, dhe para së gjithash përpjekja për të gjetur veten në një botë që gjithnjë e më shumë tenton të të largojë prej saj…

Konkurrimin në Seksionin e filmit me metrazh të gjatë, e hapi filmi “Djali i diskos” (Disco Boy), me regji të Giacomo Abbruzzese, një bashkëprodhim kineastësh nga Italia, Franca, Belgjika, Polonia, i vitit 2023, i cili është një përfaqësues pretencioz i kësaj qasjeje përsiatëse në kinemanë bashkëkohore. Heroi i filmit, Aleksei, mbërrin në Paris për t’iu bashkuar Legjionit të të Huajve, pas një udhëtimi të dhimbshëm nëpër Evropë. Ndërkohë, në deltën e lumit Niger, Jomo lufton kundër kompanive të naftës, që kërcënojnë fshatin dhe jetën e familjes së tij. Fati do ta puqë me Aleksein një ditë, kur ai, në krye të një grupi të armatosur, rrëmben disa shtetas francezë. Pas ndërhyrjes së komandos së Legjionit të të Huajve, drejtuar nga Aleksei, fatet e tyre do të shkrihen dhe lidhen përtej kufijve, trupave, jetës dhe vdekjes.

Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR vazhdon. Oferta e tij shfaqet nga datat 9 – 13 qershor 2024 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, sallën e Kinema AGIMI dhe sallën e kinemasë së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD)./ata