Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte patur Ushtri Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën që ai filloi në paqe, nuk do të ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë.
“Pa miqtë e mëdhenj që Ibrahim Rugova ia bëri Kosovës, pushkët e UÇK-së nuk do të jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s. Ndërsa kohët që paqja të kërkonte luftën, që lufta të mundësonte paqen, mund të mos kishin ardhur kurrë. Me fjalët “i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon’’ dhe me strategjinë e tij të paqes për të fituar luftën, Ibrahim Rugova dëshmoi se e para; besnikëria ndaj parimeve është mbytëse pa largpamësinë dhe e dyta; paqes së plotë i duhet diçka esenciale më shumë sesa fitorja e luftës me armë, i duhet shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo shikimi i të ardhmes me sytë e të shkuarës”, u shpreh Rama në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” në Prishtinë.
Sipas tij “është shumë për të qarë hallin sot, që pas kaq shumë vitesh duket sikur Ibrahim Rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë, nuk do të thotë thjesht të arrish në mungesë konflikti, por të vendosësh një drejtësi afatgjatë brenda dhe përtej kufijve”.
“Por Rugova kishte kuptuar – dhe e gjithë rruga e tij e rrezaton këtë, – edhe një të vërtetë që shumëkush sot e gëlltit me vështirësi ose e refuzon fare që ta gëlltisë, të vërtetën se për të realizuar një drejtësi afatgjatë, asnjë popull nuk është i vetëmjaftueshëm, nuk vlen asnjë lekë bindja e atyre që na ndjekin me fanatizëm nëse nuk arrin të bindim edhe kundërshtarin”, tha Rama.
Sipas tij, “udhëheqja e vërtetë në kërkim të paqes së plotë matet jo nga aftësia për të ngritur gur pas guri, kulla ngujimesh kinse parimore, por nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri kullat e bashkëpunimit dhe ëndrra për t’i patur që të gjitha menjëherë përmes një fitoreje absolute jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes së shumëçkaje për breza të tërë”.
“E në këtë pikë, mësimi i Ibrahim Rugovës është i jashtëzakonshëm. Është mësimi i madh për të gjithë ne sepse na kujton që sado të mëdhenj dhe sado të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël që siç thoni ju në Kosovë: “nuk kemi qare pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj””, shtoi ai.
Rama theksoi se “ndikimi i Rugovës nuk ishte i kufizuar vetëm nga arritjet politike ai ishte një ikonë kulturore që mbështeste ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur”.
“Të gjithë miqtë e afërt të tij më të cilët unë kam pasur mundësinë të bisedoj, por dhe nga takimi me të në shtëpinë e tij, është shumë e qartë që ai kishte një adhurim pa kushte për Shqipërinë dhe ua njihte mirë shqiptarëve si vuajtjet dhe krenarinë, si ndjeshmërinë dhe besnikërinë. Dhe edhe në momentet më të vështirë për Kosovën ai ngulte këmbë që Shqipëria të mbahej parasysh duke e kuptuar si askush tjetër se dallimet politike mes dy shteteve janë një gjë dhe fatet të përbashkëta të një kombi janë një gjë krejt tjetër”, shtoi ai.
“Duke qenë se ai vinte nga shtrati i kulturës, ishte një lexues i shpirtit të kombit që e kuptonte dhe nga brenda se shpirti i kombit qëndron mbi kulturën, mbi gjuhën, mbi traditat e veta, por dhe këto i thotë ai, edhe në ndërthurjen dhe në pikëtakimet me kulturat e tjera, çka i jepte vizionit të tij për një Kosovë multietnike dhe demokratike, një dimension krejt progresiv dhe befasues për kohën dhe njëkohësisht një përmasë europiane të atij dimensioni që sot edhe në Europë duket se po bëhet gjithmonë e më shumë uji i pakët”, tha Rama.
Rama nënvizoi se Rugova ishte i bindur se dialogu ndërkulturor i shërbente themelit të përbashkët të një shoqërie të ngritur jo mbi mërite e së shkuarës, por mbi projektet e të ardhmes.
“Ai thoshte, ‘jemi europianë, besojmë në Zot dhe në demokracinë perëndimore’ dhe kështu i ftonte brezat e rinj të mendojnë dhe të veprojnë si qytetar të ardhshëm të një kontinenti gjithnjë e më të integruar përmes vlerave të demokracie dhe jo i pengjet e një mallkimi historik që ripërtërihet duke pirë helmin e ndasive të kaluara. Ai e dinte shumë mirë që pas gjak humbjes vjen paqja dhe s’ka sesi të ndodhë ndryshe, por madhështia e tij qëndron në faktin se ai paqen e plotë nuk e shihte si poshtërim të të mundurve, por si ngadhënjim të së porsalindurve”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “sfida e ndërtimit të paqes së plotë “rugoviane” mbetet një sfidë e hapur, aq më tepër në një kontekst të ri gjeopolitik për të gjithë Europën”.
“Miqtë e tij të afërt më kanë thënë se gjatë sëmundjes ai kishte vetëm një pishman përballë vdekjes që i afrohej, të cilën nuk e shihte fare si problem, në kuptimin se ndjehej një njeri në dispozicion të jetës me humanizmin e tij, por në të njëjtën kohë edhe qartësisht i penguar se “nuk ia qitën pikën jashtë”, – thoshte për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës. Ajo pikë tashmë ka dalë jashtë, ka dalë jashtë në mënyrë të pakthyeshme por sfida e ndërtimit të paqes së plotë rugoviane mbetet një sfidë e hapur, aq më tepër në një kontekst të ri gjeopolitik për të gjithë Europën”, tha Kryeministri.
“Sot popujt e Ballkanit kanë një moment shansi historik në një kontekst rreziku historik. Shansin që të çojnë përpara një projekt dialogu dhe orientimi drejt të ardhmes, secili gur i rëndë në vend të vetë dhe në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vetë, që askush nuk mund ta luajë nga vendi, por është dhe një gur i rënde në vend të vetë që duhet të zërë vend mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vetë ndërkombëtar ose pastaj të hyjmë në rrugën që çon mbrapa dhe që dihet shumë mirë se çfarë pasojash ka në këtë zonë të Europës, ku Rugova ishte kaq i vetëdijshëm e prandaj dhe kaq i motivuar, kaq i mobilizuar, kaq i përkushtuar për të shmangur me çdo kusht të dytën, duke frymëzuar të parën edhe në kohën kur siç thotë Kadareja, ishte një president pa pallat dhe pa komb”, theksoi ai.
E për ta realizuar këtë mision si një shans të kohës, Rama tha se “ne do ta sjellim Europën në Ballkan, shumë më parë se sa të çojmë Ballkanin në Europë”.
“Për këtë s’ka burim më frymëzues nga aktualiteti shqiptar i pas rënies së diktaturës në Shqipëri dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësinë e Kosovës, se sa vepra dhe jeta e Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova është një model, është pikë referimi është një lider historik, sa i asaj bote, edhe i botës së re që duam të kemi këtu në këtë lagje të Europës, po edhe një qytetar model i një kontinenti të përbashkët, një simbol i një krenarie jo fodulle, i një urtësie të aktivizimit jo demagogjik, i besimit te vetja si tolerancë ndaj të njerëzve dhe shpresës që ushqen mirëkuptimin dhe aty ku mirëkuptimi duket i pamundur dhe i largohet konfliktit dhe aty ku konflikti duke i pashmangshëm”, shtoi ai./ata