Hamasi njoftoi se është i gatshëm të negociojë me ndërmjetësit për zbatimin e parimeve të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) lidhur me një armëpushim të përhershëm në Gaza, tërheqjen e plotë, shkëmbimin e pengjeve, rindërtimin e Rripit të Gazës dhe riatdhesimin e të zhvendosurve.

Në deklaratën e Hamasit thuhet se "armëpushimi i përhershëm, tërheqja e plotë nga Gaza, shkëmbimi i pengjeve, rindërtimi i Rripit të Gazës dhe kthimi i personave të zhvendosur të përfshirë në rezolutën e OKB-së janë të mirëpritura".

Në deklaratë theksohet se Hamasi është i gatshëm të bashkëpunojë me ndërmjetësit për të hyrë në negociata indirekte për zbatimin e këtyre parimeve në përputhje me kërkesat e popullit palestinez dhe rezistencës së tij.

Hamasi do të vazhdojë luftën e tij së bashku me të gjithë popullin për të arritur të drejtat e tyre kombëtare, përfshirë mposhtjen e Izraelit, kthimin e palestinezëve në atdheun e tyre dhe krijimin e një shteti palestinez plotësisht të pavarur me Kudsin si kryeqytet me sovranitet të plotë dhe të drejtën e vetëvendosjes, bëhet e ditur më tej.

Në KS-OKB u miratua projekt-rezoluta që kërkon mbështetje për propozimin me 3 faza të cilin e paraqiti presidenti amerikan Joe Biden, i cili në fazën e parë parashikon armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Në votimin në të cilin Rusia abstenoi, projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA-ja mori 14 vota pro në KS-OKB-në me 15-anëtarë. Në rezolutën ku thuhet se Izraeli ka pranuar propozimin e Bidenit, iu bë thirrje edhe Hamasit të pranojë dhe zbatojë propozimin.

Në rezolutë, në përputhje me propozimin me 3 faza, vihet në dukje se në fazën e parë do të sigurohet armëpushim i menjëhershëm, lirimi i grave, pengjeve të moshuar dhe të plagosur, shkëmbimi i pengjeve palestinezë, tërheqja e forcave izraelite nga zonat e banuara në Gaza, rritja e ndihmës humanitare, rindërtimi i shërbimeve bazë, kthimi i civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre në të gjithë enklavën, përfshirë veriun e Gazës dhe sigurimi i kontributit ndërkombëtar të nevojshëm për strehimin./aa