Rezidentët e kryeqytetit indonezian Xhakarta kërkonin sot mes mbetjeve të shkrumbuara të shtëpive të tyre pasi një zjarr monstruoz në një depo karburantesh ka lënë 17 njerëz të vrarë, mes të cilëve dy fëmijë.

 
 
 
 
 

Tre njerëz mbeten ende të humbur pas katastrofës së të premtes mbrëma në impjantin e kompanisë energjitike shtetërore PT Pertamina në veri të Xhakarta, teksa zyrtarët nuk dinë nëse ishte një atentat apo degradim i infrastrukturës së karburanteve.

Gjashtëdhjetë njerëz raportohen të plagosur nga tmerri, disa prej të cilëve me djegie të rënda, ndërsa qindra rezidentë të banesave pranë depove u detyruan të evakuoheshin.

 
 

“Nisi me një erë të fortë që të zinte frymën, njerëzit nisën të largoheshin kur pak më vonë dëgjuam shpërthimin shkatërrimtar”, tha dëshmitari Sastono Axhi.

Presidenti indonezian Ma’ruf Amin vizitoi dhe vendngjarjen dhe konfirmoi numrin e viktimave dhe të të plagosurve.

Kreu i policisë vendase Listyo Sigit, duke folur gjithashtu nga vendngjarja tha se të paktën tre persona mbeten të humbur.

“Kemi pasur disa zjarre të tilla … është e qartë se kemi nevojë për një auditim të këtyre impjanteve, veçanërisht për depozitat dhe rafineritë”, tha Sugeng Supavoto, kreu i komisionit parlamentar të energjisë.

Edhe në vitin 2021, nje zjarr gjigant përfshiu rafinerinë shtetërore Balongan në ishullin Xhava, që përfshiu disa shtëpi në rrethina, por pa viktima.

“Ishte si një bombë si një apokalips,” tha dëshmitari vendas Jamilul Asror duke shtuar se njerëzit vraponin duke ulëritur për t’i shpëtuar flakëve të tmerrshme në qiell.