Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës (URC2024) në Berlin, u takua me ministrin Federal për Punën dhe Ekonominë të Austrisë, Martin Kocher.

Spiropali tha se gjatë takimit biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e në fusha të tjera me interes të ndërsjelltë.

“Në vijim i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Austria ka dhënë gjatë procesit të reformimit të vendit tonë, për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Spiropali në fjalën e saj në konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës (URC2024) në Berlin theksoi se “që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, Shqipëria ka kontribuar në mbështetje për Ukrainën me automjete, municione, armatime dhe stërvitje për Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

“Përpos ndihmës së deritanishme, qeveria shqiptare mbetet e gatshme të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së pasluftës për të ndihmuar ekonominë e Ukrainës, në koordinim me organizatat, aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka deklaruar ministrja Spiropali./ata