Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, se në gjithë territorin e vendit janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj në PS.

Kryeministri theksoi se kjo është një shifër inkurajuese ndërkohë që vuri në dukje se 11 400 prej tyre janë të rinj e të reja nga mosha 18-30 vjeç.

“Nga gjithë procesi i zgjedhjeve për Kongresin e ri janë propozuar nga organizatorët socialistë 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1200 delegatëve të Kongresit, numri që kemi pasur dhe kemi edhe aktualisht. Një pjesë e delegatëve janë ex officio si kryetarë bashkish, anëtarë këshillash e kështu me radhë”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se 925 delegatë janë zgjedhur drejtpërdrejt nga anëtarësia, nga të cilët 76% janë për herë të parë në Kongresin e PS-së.

“Edhe këtu është arritur një objektiv shumë i rëndësishëm për të shkuar përtej 50% të anëtarëve të rinj të Kongresit. Ne faktikisht jemi në 76%”, tha Rama.

Sipas tij, “i njëjti kriter dhe ambicie duhet të karakterizojë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë së re Kombëtare të PS-së”.

“Për sa i përket këtyre të dytëve, dua të theksoj se janë faktikisht 156 anëtarë dhe anëtare të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi. Ndërkohë që edhe në Asamblenë Kombëtare një pjesë e anëtarëve janë ex officio si kryetarë bashkie, kryetarë të degëve të partisë në çdo bashki dhe deputetët e grupit të PS-së. Por 156 do të zgjidhen me votë të fshehtë në Kongresin e ardhshëm zgjedhor. Ambicia e kthyer në kriter është që 3/4 e tyre duhet të jenë për herë të parë në Asamblenë Kombëtare”, tha Rama./ata