Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se në Kongresin Zgjehdor të PS-së do të paraqitet platforma e re e përzgjedhjes së deputetëve.
Kryeministri theksoi se platforma e re e përzgjedhjes së deputetëve të PS-së do të bazohet te eksperienca e zgjedhjeve të shkuara.
“Ne krijuam për herë të parë një platformë digjitale të quajtur “Deputeti që duam” dhe mblodhëm një numër jo të vogël për hir të së vërtetës shprehjesh interesi për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes së deputetëve të PS. Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë dhe pjesë e listave tona zgjedhore”, shtoi ai.
Rama theksoi se “në përzgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces disi më të artikuluar”.
“Për këtë arsye është mirë që t’i japim vetes kohën e nevojshme nga Kongresi zgjedhor deri në momentin kur do të bëhet dhe përzgjedhja përfundimtare e listës së deputetëve dhe deputeteve të Partisë Socialiste”, theksoi ai.
Po ashtu, Rama theksoi se përtej zgjedhjes së Asamblesë Kombëtare, Kongresi do të duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”.
“Për këtë do të angazhohet një grup i veçantë por në kongres do të bëhet një përmbledhje, një pasqyrë përmbledhëse e gjendjes në raport me “Shqipërinë 2030”, pra ku jemi dhe ku do të mbërrijmë”, shtoi ai./ata