Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore përjashtim për 10 ditë Kuvendi për disa deputetë demokrat, që janë Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, për shkak të bllokimit të djeshëm të seancës plenare. Dokumenti është firmosur nga 7 deputetë të Partisë Socialiste.

 

Në kërkesën e firmosur nga deputetët Ismet Beqiraj, Petro Koçi, Denis Deliu, Arben Pëllumbi, Ermonela Valikaj (Felaj), Mimi Kodheli dhe Gerta Duraku, thuhet se Berisha, Noka, Këlliçi, Spaho dhe Paloka u sollën në mënyrë të pahijshme dhe jo etike, duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare dhe duke shkaktuar kaos në seancë.

 

 “Konkretisht këta pesë deputetë, zaptuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare, duke bërë të pamundur që deputetët të merrnin fjalën, siç ishte parashikuar në rendin e ditës. Edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesja e seancës, deputetët e sipërcituar vazhduan të pengonin zhvillimin e rregullt të seancës plenare, duke mbajtur të zaptuar foltoren. Gjithashtu, drejtuesja e seancës u detyrua të merrte edhe masën disiplinore “Për përjashtimin nga seanca plenare” ndaj tyre, por pavarësisht kësaj, këta deputetë nuk pranuan të dalin nga salla”, thuhet në letrën e 7 deputetëve socialistë, teksa kërkojnë marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë”.