Përpjekjet e një grupi të vogël sipërmarrësish - me pasion të madh për garat me kuaj, për të ndërtuar një hipodrom afër Durrësit janë penguar nga mungesa e bazës ligjore.

BIRN

Golfi, hipizmi apo tenisi, të cilët shumëkush i quan “sporte luksi” vazhdojnë të mos e kenë vëmendjen e shtetit, megjithëse investimet e kryera për infrastrukturën sportive janë realizuar kryesisht nga privatët.

Golfi ka mbetur në aplikimet e amatorëve në sipërfaqe mjaft të vogla; tenisi ka shtuar numrin e fushave në disa nga qytetet kryesore të vendit, ndërsa përpjekjet e të apasionuarve në garat me kuaj për ngritjen e një hipodromi dhe për krijimin e bazës ligjore përkatëse kanë ndeshur në indiferencën e organizmave shtetërore.

Aktualisht, kuajt e racës gjakpastër angleze, që i dhanë jetë garave të shpejtësisë në bregdetin e Durrësit, janë shumë më të pakët në numër se sa 15 vjet më parë.

Gerti Hima mbetet një nga biznesmenët e pakët durrsakë, që bashkë me disa kolegë nga Fieri, Shkodra apo Kosova përpiqen të organizojnë gara hipizmi në bregdetin e Darzezës, pranë Fierit.

Hima tha për BIRN se një pjesë e madhe e të apasionuarve, të cilët iu përkushtuan krijimit të “Jockey Club Albania” sot janë tërhequr nga përpjekjet për të krijuar një hipodrom në rrethinat e qytetit.

“Bashkë me dëshirën, ishte edhe një investim i madh financiar,” shtoi Gerti.

“E nisëm me blerjen e kuajve të galopit nga një grup jo i vogël biznesmenësh, kryesisht në Durrës,” kujtoi Gerti, i cili ishte një nga drejtuesit e “Jockey Club Albania”, që do të kishte vlerën e Federatës së hipizmit për garat e shpejtësisë” .

“Fituam mbështetjen e organizmave në vendet fqinj,” bashkohet në bisedë Arjan Gjyzeli, veçanërisht atë të Shkollës së Hipizmit në Piza (Itali).

“Gjetëm gjithashtu edhe simpatinë e shikuesve të shumtë, që vinin për të ndjekur garat që organizoheshin në bregdetin e Golemit”, shtoi ai.

Kujdesi ndaj kuajve të shpejtësisë, si dhe përgatitja e kalorësve, kërkojnë shpenzime të mëdha, por pengesa kryesore për të apasionuarit  e garave të shpejtësisë mbetej ngritja e një hipodromi .

Gjyzeli kujton se u arrit një marrëveshje për shfrytëzimin me qera të një sipërfaqe prej disa hektarë shumë pranë autostradës Tiranë – Durrës.

“Ishte një ndërmarrje e madhe dhe na mungonte baza ligjore për ndërtimin e një infrastrukture me përmasa të tilla,” tregoi Arjan Gjyzeli për BIRN.

Hipodromi i parë në Shqipëri do të ishte një hap i rëndësishëm edhe për turizmin në qytetin bregdetar të Durrësit.

Por bisedat me disa deputetë dhe kërkesa zyrtare për anën ligjore, që përfshinte edhe raportet  e fitimit nga bastet mes shtetit dhe organizatorëve të garave, kanë gjetur përballë vetëm indiferencën e plotë të ligjvënësve.

“Kanë ardhur për të na ndjekur dhe na kanë përgëzuar, madje jemi bërë edhe pjesë e festimeve të organizuara nga prefektura në Gjirin e Lalzit. Por gjithçka ka mbetur te premtimet”, tha Arjan Gjyzeli, president i “Jockey Club Albania” për vite me radhë.

Për 5-6 vjet me radhë “JCA” nuk reshti së organizuari gara në distancat 1.000, 1.500 dhe 2.000 metra, dhe fituesit e trofeve “Mikpritja durrsake”, “Pranvera”, “Kupa e mbretit” apo “Derby”, që organizohej çdo fundviti mblidhnin në bregdetin pranë Shkëmbit të Kavajës qindra adhurues.

“Këta janë kuaj që arrijnë shpejtësitë më të mëdha, deri në 80-90 km në orë”, tha për BIRN, Avni Loka, nga Opoja (Kosovë).  “Purosangue inglesi” është përzgjedhur në Anglinë e shekujve 17-18 nga kryqëzimi i një grupi kuajsh vendas me kuajt arabë të importuar. Lartësia ideale e një kali të tillë eshte 162-165 cm. “Ne i kemi mirëpritur në Opojë kalorësit dhe ekipet nga Durrësi dhe ua njohim vlerat”, shprehet Avniu.

Në kodrat pranë qytetit, Gerti Hima vazhdon të kujdeset për kuajt e tij.

Një nga tërheqjet e veçanta për fëmijët dhe të rinjtë në resortin që ai administron, janë kuajt.

Në pistën rrethore, Ola Dedej, një kalorëse e hershme e garave, u jep fëmijëve leksionet e para të kalërimit.

Ola e ka kultivuar pasionin e saj që në moshën 12-vjeçare, dhe tashmë marrëdhënie e saj me kuajt e galopit ka fituar sigurinë e nevojshme.

Nga ana tjetër Gerti dhe miqtë e tij nga Kosova, Shkodra e Fieri nuk i ndahen garave me kuaj në bregdetin e Darzezës.

“Nuk kemi spektatorë, dhe as vëmendjen e shtypit, që na shoqëronte dikur, por vazhdojmë të besojmë se shteti do ta kthejë kokën drejt nesh,” tha ai.

 

“Në një vend si i joni, kalërimi dhe garat me kuaj janë një sport  tradicional, mjaft i bukur dhe nuk është e drejtë që të vonohemi edhe më shumë,” përfundoi Gert Hima./SyriNet