Ushtria izraelite po kryen sulme intensive në kampin e refugjatëve Shabura në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës ndërkohë që janë shënuar përleshje mes ushtarëve izraelitë dhe anëtarëve të rezistencës palestineze në kamp.

Ushtria izraelite shënjestroi me goditje intensive ajrore dhe artilerike kampin e refugjatëve Shabura që ndodhet në qendër të qytetit Rafah si dhe shënjestroi një zonë në kamp në të cilën ndodheshin shumë shtëpi.

Tymi i dendur ngrihet nga vendet që ushtria izraelite shënjestroi në kampin, ku shumica e banorëve u detyruan të largohen.

Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, automjetet e ushtrisë izraelite erdhën nga Korridori i Filadelfit në drejtim të qendrës së qytetit Rafah dhe pothuajse kanë rrethuar kampin Shabura.

Në kamp vazhdojnë luftimet e ashpra mes ushtarëve izraelitë dhe anëtarëve të rezistencës palestineze. Ushtria izraelite vazhdon sulmet kundër Rafahut pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ndalimin e sulmeve.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 37.164 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur 84.832 persona të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa