Më 13 qershor 1920 u vra në Paris Esat pashë Toptani.
Ish-kryeministri i mërguar Toptani, në vitet 1918-1920 po përpiqej të ndërhynte pranë Konferencës së Paqes për t’u njohur si përfaqësues i Shqipërisë, përkundër vullnetit të forcave politike në Shqipëri. Siç deklaroi atentatori në gjyqin kundër tij në Paris, Avni Rustemi, vrasjen e kreu për motive kombëtare, pasi e konsideronte Toptanin tradhëtar të Shqipërisë.
Rustemi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Francës dhe u kthye në Shqipëri, ku u prit si hero, pas 6 muajsh në paraburgim.
Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 ai u zgjodh deputet dhe u rreshtua si opozitar i forcës politike drejtuar nga Ahmet Zogu.
Më 20 prill 1924, Avni Rustemi plagoset nga një person i quajtur Jusuf Reçi, pranë Pazarit të Ri në Tiranë, në sheshin që sot mban emrin “Avni Rustemi”. Dy ditë më pas Avni Rustemi ndërroi jetë prej plagëve./ata