Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 10 maj 2024.
Në një njoftim për shtyp AK bën të ditur se, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, me vendimin “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve të administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës në tregun e aksesit të shërbimit të internetit”, hapi procedurën e hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve të administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës në tregun e aksesit të shërbimit të internetit, për periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 13 tetor 2023.
Në zbatim të këtij vendimi, u kërkuan të dhëna dhe informacion nga ndërmarrjet e administrimit dhe nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin e aksesit të internetit.
Në përfundim të analizës së informacioneve dhe të dhënave të siguruara,rezultoi se: ekzistojnë problematika për kufizimin e aksesit nga ndërmarrje të tjera të administrimit në rezidencat e banimit në qarkun e Tiranës; disa nga ndërmarrjet e administrimit kanë aksionarë të përbashkët me ndërmarrjet e internetit, dhe ushtrojnë veprimtarinë në të njëjtën rezidencë banimi, duke sjellë kështu një integrim vertikal, ngrihen dyshime që në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit mund të këtë shkelje të ligjit.
“Gjithashtu sjellja e ndërmarrjeve të administrimit mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese duke refuzuar aksesin e ndërmarrjeve të tjera që ofrojnë këtë shërbim; duke zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët dhe duke krijuar kushtet e favorshme për krijimin e pozitës dominuese të ndërmarrjeve të internetit brenda rezidencës që ata administrojnë”, thekson Autoriteti i Konkurrencës./ata