Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport dhe Auto Holiday Albania në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë, nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se nga hetimi nuk është provuar abuzim me pozitën dominuese apo shkelje të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Komisioni i Konkurrencës pasi shqyrtoi Raportin Hetimor të Sekretariatit, konstatoi se: Tirana International Airport SHPK, ka zbatuar vendimin për masat e përkohshme duke rivendosur konkurrencën në tregun përkatës të produktit me heqjen e tabelës “Ndalohet taksi pa pasagjerë” dhe lejimin e aksesit të taksive të tjera. Gjatë procedurës hetimore administrative nuk u provua lidhja shkak pasojë, pra veprimi i TIA në vendosjen e tabelës dhe pasojave që kanë rrjedhur nga kjo sjellje.
Gjithashtu AK i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që, për shkak të rëndësisë që paraqet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), si dhe në kuadër të shtimit të numrit të aeroporteve të tjera ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, të rishikojë rregullimin e nenit 37 të Ligjit nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore” si dhe aktet e tjera nënligjore në bazë të tij, përsa i përket detyrimit të nisjes së mjeteve pa pasagjerë jashtë bashkisë së licencimit, posaçërisht në lidhje me aeroportet ndërkombëtare./ata