Në 24 orët e ardhshëm nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas planifikohet të ngrihen 106 avionë. Drejt Gjermanisë mikë-pritëse të “Euro 2024” do të fluturojnë 14 avionë, njëri prej të cilëve në Dortmund qyteti në stadiumin e së cilit luhet ndeshja Shqipëri-Itali.

Nëse e keni lënë për moment të fundit për të parë ndeshjen apo ka dalë një fluturim i papritur, lajmi i keq është se nuk ka më bileta të lira për në Dortmund.

Dy kompanitë “low cost” nga 23 në total që operojnë në Rinas i kanë shitur të gjitha biletat, ndërsa për linjat e tjera çmimet variojnë nga minimumi 220 euro e deri në 670 euro.

Është normale që për një situatë të tillë, për një event të tillë gjithnjë çmimet janë të larta. Kjo pasi çmimet janë të bazuara te raporti kërkesë ofertë”, tha Besnik Vathi, agjent udhëtimesh.

Por biletat e avionit nuk janë të shtrenjta vetëm për ndeshjen Shqipëri-Itali. Të dhënat nga 23 kompanitë e fluturimit tregojnë se të paktën deri në 15 korrik, të fluturosh nga Rinasi drejt Gjermanisë kushton nga 200 e deri në 570 euro. Çmime të ngjashme ofrojnë edhe kompanitë “low cost”. 

“Kompanitë low cost ecin me parimin e tregut. Kur ka shumë kërkesë, çmimet rriten. Së paku deri në fund të korrikut, çmimet e biletave veçanërisht drejt Gjermanisë do të jenë të larta.”

 

Mirëpo alternativat për çmime të lira të biletave të fluturimeve nuk mungojnë gjithsesi.

“Nëse ndeshja luhet në Dortmund, ti mund ta presësh biletën në Eindhoven apo në qytete aty rrotull e nga aty të marrësh trenin për në destinacion. Kosto do të jetë disi më e ulët.”

Për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Italisë mbrëmjen e së shtunës, në stadiumin e Dortmundit pritet të jenë rreth 50 mijë shqiptarë. Një pjesë e tyre kanë udhëtuar nga Tirana duke rritur kështu çmimet e biletave./Tema