Përpara viteve ’90, Shqipëria konsiderohej një vend bujqësor. Më shumë se gjysma e popullsisë jetonte në fshat dhe ishte e angazhuar me tokën, duke siguruar furnizimin e plotë të tregut vendas me produkte bujqësore.

Një tranzicion i gjatë dhe njësoj i dhimbshëm si ai i gjithë ekonomisë kolapsoi këtë sektor pas ndërrimit të sistemeve. Reforma e tokës që nuk i dha zgjidhje pronësisë, përkundrazi shkaktoi mbivendosje dhe përplasje sociale, braktisja e fshatit për shkak të emigracionit të vazhdueshëm, rritja e kostove dhe vështirësive për të punuar tokën dhe mbi të gjitha, mungesa e ndihmës financiare dhe orientimit në mbjelljen e produkteve dhe afrimit të tyre me tregun shkaktuan goditje të njëpasnjëshme për fermerët dhe sektorin në tërësi.

Që nga fillimi i dekadës së kaluar, ritmet e rritjes së bujqësisë janë frenuar në mënyrë të vazhdueshme, por dy vitet e fundit, sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69%. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me 3.5%, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë.

Nga një vend bujqësor, Shqipëria është shndërruar sot në një vend pa bujqësi. Reflektimi më i qartë i këtij realiteti është furnizimi i tregjeve të fruta perimeve me produkte kryesisht importi, madje edhe në sezon. Aktualisht rreth 70% e produkteve bujqësore në tezga dhe supermarkete vijnë nga importi, duke konkurruar në çmime edhe ato pak fermerë vendas që tentojnë të prodhojnë për treg.

Por si është gjendja e fshatit sot? Udhëtojmë drejt Lushnjës, që është edhe zona më bujqësore e vendit.

 

Në Karbunarë takojmë Vladimir Çelën, i cili merret me bujqësi prej 30 vitesh. Pasioni e mban ende të lidhur me tokën, edhe pse fitimet nuk kanë qenë kurrë të mëdha dhe problemet e bëjnë të vështirë realitetin e përditshëm. E takojmë tek serat, aty ku nis punën që në orët e para të mëngjesit për t’u marrë me domaten, që është edhe produkti që ka kultivuar këtë sezon.

Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme. Duke qenë sektori më pak produktiv, afrimi i punonjësve të rinj bëhet i vështirë. Zyrtarisht rezultojnë të punësuar 540 mijë persona, ku shumica  janë pa pagë, pasi vetëm 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.

Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes për bujqësinë me vetëm 0,2% të Produktit të Brendshëm Bruto, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

Lëmë pas Karbunarën dhe udhëtojmë drejt Qerretit të vjetër në Lushnje. Bekim Qerreti është një tjetër fermer që jetën e tij dhe të familjes e ka lidhur me tokën. Pavarësisht borxheve, që nuk i mbulon dot me shitjen e domates që e kultivon me pasion mes shumë vështirësive. I vetëm dhe pa asnjë ndihmë, ai përpiqet çdo ditë, duke shpresuar se nesër do t bëhet më mirë, edhe pse ditët duke se vetëm zvarriten së bashku me hallet e kësaj familje.

Fermerët e lidhur me tokën janë gjithmonë e më të paktë. Për shumicën duket sikur është më tërheqëse puna sezonale në vendet fqinjë sesa investimi në tokën e tyre, ku ata përballen me probleme, të cilat përsëriten çdo vit. Arben Murati, një fermer që kultivon pjeshkët në Lushnje e di mirë, pasi një pjesë të prodhimit është i detyruar ta hedhë. Çmimi i shitjes është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot, ndërsa vitet nuk i ngjajnë njëri tjetrit, duke bërë që risqet për prodhimin të jenë të mëdha.

Arbeni edhe ujin për të vaditur tokën duhet ta sigurojë vetë, nëpërmjet këtij kanali kullues, që rrit kostot për të. Ndërkohë që vaditjen duhet t’ia kishte siguruar shteti.

Por sa para jep qeveria shqiptare për bujqësinë, të shpallur publikisht prej saj si sektor prioritar? Sipas një krahasimi të Bankës Botërore, Shqipëria financoi mesatarisht me 0.19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën periudhë, vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa tre vende të Rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin norma më të larta financimi në raport të PBB-në të bujqësisë së BE.

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

Por edhe pse gjendja e bujqësisë vjen duke u përkeqësuar dhe lidhjet e njerëzve me tokën po bëhen çdo ditë e më të broshta, qeveria nuk e ka pasur në vëmendje këtë sektor. Për këtë mjafton të shohim fondet e akorduara në buxhetin e këtij viti, të cilat kanë qenë në rënie.

Për gjithë 2024-ën janë parashikuar për bujqësinë 14.1 miliardë lekë ose 0.3% më pak se në buxhetin e një viti më parë.

Por përveç financimeve të brendshme të kufizuara nga buxheti, bujqësia ishte duke përfituar financime të konsiderueshme nga programi IPARD i Bashkimi Europian një instrument për vendet në proces anëtarësimi në BE.

Shqipëria dhe Serbia ishin përfituesit më të mëdhenj nga programi IPARD, por një proces hetimi nga zyra e hetimit për rregullisë e procesit, OLAF ka bllokuar fondet për Shqipërinë për një kohë të pacaktuar.

Fondet e paketa në dispozicion prej 146 milionë euro nuk po mundësojnë investime në mbrojtjen e bujqësisë nga ndryshimet klimatike dhe as nuk mund të nxisin novacionin në këtë fushë për të rritur rendimentin që në shumë kultura është shumë më i ulët se në BE.

Pavarësisht nëse fondet e IPARD disbursohen apo jo, kambanat e alarmit për sektorin e bujqësisë kanë rënë prej kohësh dhe pezullimi i programit, jo vetëm që jep sinjale negative për të gjithë ata që ende investojnë në sektorin e bujqësisë, por konfirmon keqadministrimin dhe lënien në mëshirë të fatit të një sektori të rëndësishëm dhe jetik, i cili punëson 40% të forcës së punës dhe e ka kaq të domosdoshme vëmendjen e qeverisë dhe kërkon politika dhe plane konkrete financimi, transparente dhe stimuluese

Në dy vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht me më pak sesa 1%, shumë më pak sesa mesatarja e së gjithë ekonomisë prej rreth 6.5% për të njëjtën periudhë.

Në tremujorin e parë të këtij viti, zgjerimi i sektorit që kontribuon në rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte pothuajse zero (0.04%), sipas të dhënave zyrtare që publikohen nga INSTAT, nga 2.72% që ishte shifra për gjithë ekonominë.

Në vite, bujqësia nuk ka arritur të formatohet si një sektor me vlerë të shtuar dhe kjo për shumë arsye, si strukturore të trashëguara, p.sh., copëzimi i tokës që çon në mosarritjen e ekonomisë së shkallës, por dhe për arsye të lidhura me politikat e gabuara, apo dhe mungesa e tyre për të nxitur zinxhirin e vlerës në shumë nënsektorë.

Përshembull, ndryshimi i vazhdueshëm i skemave të TVSH-së në industrinë përpunuese çoi në krizë industrinë e qumështit.

Vendi më bujqësor i Evropës, sot ka bulmetin më të shtrenjtë dhe kompanitë përpunuese i janë drejtuar importit për të marrë lëndën e parë, sepse kanë më leverdi, sesa ta blejnë qumështin nga fermerët shqiptarë.

Këta të fundit janë drejt falimentimit, teksa shifra zyrtare treguan në vitin 2022 se numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi u reduktua me 8.3% me bazë vjetore. Tkurrje kanë pësuar edhe nënproduktet si qumështi me 4.2%, mishi me 5,6% dhe vezët me 15%.

Rënia, në mënyrë të natyrshme, u hapi rrugë importeve. Qumështi i importit është rritur me gati 30% në muajt e parë të vitit, të njëjtën tendencë ka edhe mishi.

Ky është një paradoks për një vend që ka peshën më të lartë të bujqësisë në Europë, me 20% të PBB-së, nga 2-3% që është mesatarja evropiane dhe deri në 11% që e ka Kosova, e dyta pas nesh. Nuk ka pasur përpjekje as për të lidhur bujqësinë me turizmin, me këtë të fundit që është në një lulëzim të vërtetë këtë vit dhe mund të shërbente për të nxitur prodhimin në shumë sektorë.

Tërheqja e fondeve për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për projektet e IPARD (mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare 25%) ishte shansi i madh që sektori kishte për të zgjidhur një pjesë të problemeve, duke ndikuar në rritjen e konkurrueshmërisë në disa nënsektorë.

Një zhvillim pozitiv ishte rritja e kapaciteteve për të tërhequr këto fonde. Programi IPARD II ishte gjithsej 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE-së.

Gjatë zbatimit të tij, nga viti 2014 deri më 2020, u arrit të disbursohen 54,3 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë.

Në fondet IPARD III, ishin programuar për t’u disbursuar në Shqipëri edhe 112 milionë euro nga fondet e BE-së për 2021-2027, nga të cilat 8 milionë euro më 2021; 10 milionë euro më 2022; rreth 12 milionë euro këtë vit; 16 milionë më 2024, rreth 19 milionë të tjera në 2025, teksa 25 milionë ishin programuar më 2026 dhe kësti i fundit 24 milionë euro më 2027.

Fondet janë pezulluar përkohësisht, pasi u përfshinë në një proces hetimi nga OLAF (zyra që heton mashtrimin e buxhetit të BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve europiane).

Do të duhet të presim rezultatet e hetimit të OLAF, por gjithsesi pezullimi i pagesave, ndonëse mund të jetë i përkohshëm, hedh hije dyshimi mbi efektivitetin e përdorimit të tyre dhe aftësisë së institucioneve shqiptare për t’i orientuar ato në përmirësimin e eficiencës së sektorëve të bujqësisë (ecuria e dobët e këtij sektori, ndoshta me përjashtim të rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore) është dëshmi indirekte e politikave të pamjaftueshme, apo keqpërdorimit të këtyre fondeve kaq të nevojshme.

Bujqësia sot e ka më se të nevojshme të rrisë konkurrueshmërinë, të lidhë në mënyrë eficiente zinxhirin e vlerës dhe ta shtojë atë, apo dhe të orientojë drejt prodhimin, teksa një vit ka superprodhim, siç ndodhi vjet me vajin e ullirit, apo këtë vit me grurin, që pritet të mbetet stok.

Pavarësisht nëse fondet e IPARD disbursohen apo jo, kambanat e alarmit për sektorin e bujqësisë kanë rënë prej kohësh dhe pezullimi i programit, jo vetëm që jep sinjale negative për të gjithë ata që ende investojnë në sektorin e bujqësisë, por konfirmon keqadministrimin dhe lënien në mëshirë të fatit të një sektori të rëndësishëm dhe jetik, i cili punëson 40% të forcës së punës dhe e ka kaq të domosdoshme vëmendjen e qeverisë dhe kërkon politika dhe plane konkrete financimi, transparente dhe stimuluese.

Për fermerët shqiptarë duket sikur është më tërheqëse puna sezonale në vendet fqinjë sesa investimi në tokën e tyre, ku ata përballen me probleme, të cilat përsëriten çdo vit, si në rastin e ullirit, apo së fundmi prodhimi i grurit.

Në vend të përqendrimit në këto problematika, qeveria ka qenë më e shqetësuar që të gjejë terren për prodhimin e kanabisit, nëpërmjet një ligji të posaçëm që u miratua me shpejtësi në Kuvend.

Kjo “zgjidhje” pritet t’i japë goditjen e radhës bujqësisë, pasi vëmendja dhe tokat mund të përqendrohen drejt këtij produkti, që ndikon fare pak në ekonominë rurale dhe është në favor të një pakice, duke ndikuar më tej negativisht në emigrimin e zonës rurale, duke u hapur përfundimisht rrugën importeve./Tema