Italia do të përballet me Shqipërinë në ndeshjen e parë të UEFA Euro 2024 dhe nga shumëkush italianët njihen me pseudonimin “azurri” ose “blutë” në shqip.
Nëse ka dy skuadra kombëtare që dallojnë menjëherë nga ngjyrat e fanellës së tyre, janë padiskutim Italia dhe Brazili. Italia është e “mishëruar” në ngjyrën blu, ndërsa Brazili në atë të verdhë, ndaj edhe këta të fundit quhen ndryshe “Canarinho” (Kanarina e vogël).
Italia me ngjyrën blu në fanellë ka fituar katër Kupa Bote dhe dy Kampionate Evropiane. Por, fillesat e tyre nuk kane qenë me këtë ngjyrë.
Fanellat e para të Italisë ishin në ngjyrë të bardhë, kur ata bën debutimin kundër Francës në vitin 1910. Ngjyra e bardhë hapi shumë debat në Italinë e asaj kohe, ku shumica kërkonte një ngjyrë që të përfaqësonte gjithë kombin, që kishte gati 50-të vjet që ishte bashkuar.
Në këtë mënyrë u vendos që ngjyra dominuese në fanellat e Italisë do të ishte bluja. Fanellat e reja të italianëve me ngjyrën blu u përdorën për herë të parë në 1911 në një ndeshje kundër Hungarisë.
Bluja ishte një zgjedhje e zakonshme që vinte nga ngjyra blu e Savojës e përdorur përgjatë shekullit të 11-të nga “Shtëpia e Savojës”, e cila ishte sunduese absolute e Siçilisë dhe më vonë edhe e Italisë, deri në shpalljen e Republikës në 1946.
Katër mbretërit e fundit të Italisë, Victor Emmanuel II, Umberto I, Victor Emmanuel III dhe Umberto II ishin pjesë e Shtëpisë së Savojës dhe bluja e saj ende dhe në ditët e sotme përdoret në Itali, në flamurin Presidencial.
Sigurisht që në kohë të ndryshme, Italia ka provuar të veshë fanlla me ngjyra të ndryshme. Në kohën e Benito Mussolini-t Italia provoi të luante me fanella të zeza në 1935 dhe 1938. Gjithashtu në 1954 luajtën me jeshile.
Përfundimisht që nga koha e shpalljes së Republikës në 1946 ata kanë luajtur me blunë si fanellë kryesore./Tema