Investimet në programin “Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes” arritën në fund të prillit në 557 milionë lekë, apo rreth 5.7 milionë euro.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditu se, në total për këtë vit janë programuar 2.55 miliardë lekë apo rreth 25 milionë euro të cilat duhet të realizohen deri në fund të 2024-ës dhe që kanë në fokus investimet në kullim dhe ujitje të tokave bujqësore.
Sipas MBZHR-së, realizimi i shpenzimeve për 4-mujorin e parë të vitit 2024, për këtë program, përfaqëson 26.77 % të totalit të buxhetit fakt të kësaj ministrie.
MBZHR bën të ditur se, “shpenzimet operative, fokusohen kryesisht për mirëmbajtjen e objekteve të infrastrukturës së ujitjes, për pasjen në funksion të kanaleve kryesor ujitës për sezonin ujitës të këtij viti (veçanërisht kanali kryesor ujitës Peqin-Kavajë, që mbulon me ujitje bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, kanalet “Naun Panxhi” dhe “Polis Tudan”, që mbulojnë me ujitje bashkinë Elbasan, si dhe veprat e marrjes së ujit për disa kanale kryesor ujitës në administrim të MBZHR si kanalet Mat-Lezhë, Mat-Kurbin në Lezhë e Kurbin, Vjosë-Levan-Fier, në Fier, degët ujitëse me rezervuarin e Thanës në Lushnjë etj.).
Sipas MBZHR-së, projektet me investimet të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, veprave të mbrojtjes nga përmbytja dhe hidrovoret, të financuara me buxhetin e vitit 2024, në total janë 78 projekte, nga të cilët: në vazhdim nga viti 2023 janë të paktën 23 projekte, të reja 55 projekte./ata