Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se numri i vizitorëve për periudhën janar – maj 2024 shënoi  rritje me 60.1%, krahasuar me vitin që lamë pas.

“Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota. 66,323 vizitorë për periudhën Janar – Maj 2024, rritje me 601% në krahasim me vitin që lamë pas”, u shpreh ministri.

Ndërkohë, Gonxhja bëri të ditur se autoritetet në vend kanë zgjatur edhe orarin e vizitave në të gjitha kalatë dhe monumentet e kulturës për periudhën maj-tetor 2024.

Ato do të jenë të hapura nga ora 09:00-19:00 në të gjitha ditët e javës.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër.

Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, Muzeve arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj./ata