Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla uroi sot Festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Në urimin e saj, Nikolla theksoi se “sakrifica në emër të besimit duhet të bëhet pjesë e jetës”.

“Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uroj besimtarët myslimanë dhe qytetarët që festojnë e ndajnë me ta harenë e kësaj dite të bukur. Kjo ditë na frymëzon që dashurinë për Zotin ta kemi edhe për njëri-tjetrin, sakrificën në emër të besimit ta bëjmë pjesë të jetës, përkushtimin ndaj Zotit ta tregojmë edhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë”, u shpreh Nikolla.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj./ata