“Loja me pagën mesatare është luga bosh e propagandës”, u shpreh sot deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Në një postim në rrjete sociale, Tabaku reagoi ndaj nismës së rritjes së pagës mesatare.
“Qeveria mendon se me një VKM mund të rrisë pagën minimale, pastaj pagën mesatare dhe në fund mund të përmirësojë jetën e shqiptarëve duke i larguar nga tundimi emigracionit”, u shpreh Tabaku.
Por, sipas saj, ekonomia funksionon ndryshe. “Që të marrësh një pagë më të lartë duhet të ofrosh një vlerë të shtuar në ekonomi përmes punës. Kjo do të thotë që biznesi të ofrojë më shumë produktivitet dhe ekonomia e vendit të rritet. Prandaj kur qeveria premton pagën mesatare 900 euro që do rritet me urdhër të kryeministrit, sheh ëndrra në diell”, tha Tabaku.
Sipas saj, rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet 2.2% për vitin aktual sipas Bankës Botërore, një nga rritjet më të ulëta në rajon si pasojë e shumë faktorëve përfshirë dhe strukturën ekonomike të dobët që ka ekonomia jonë.
“Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, dhuratë edhe e politikës së mbrapshtë të taksave, është mbi 20% ndërkohë që të ardhurat e shqiptarëve janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor. Ekonomia jonë nuk është konkuruese, nuk po rritet dhe kjo si pasojë edhe e sistemit të taksimit socialist që është promovuar këto 10 vite; taksimi socialist i merr 95% të shqiptarëve taksat ndërsa u jep lehtësi taksash 5% të oligarkëve”, vijoi Tabaku.
“Nuk është vetëm taksimi socialist problemi, pasi një ekonomi e ngritur jo mbi konkurrencën por korrupsionin; një ekonomi e ngritur mbi oligopolet dhe jo tregun e lirë vrasin çdo ide novatore dhe çdo rritje ekonomike. Produkt i kësaj katrahure politike ekonomike është emigracioni i shqiptarëve nga më të varfrit tek shtresa e mesme që duke ndjerë kërcënimin real të një ekonomie që po ua merr padrejtësisht kursimet dhe të ardhurat nis dhe tenton emigrimin”, u shpreh ajo.
“Për vitin 2022 rritja reale e pagës, duke përfshirë dhe inflacionin, ka qenë më e ulët se sa 4%. Shifrat janë kokëforta, realiteti po ashtu nuk ka propagandë që e ndryshon”, përfundoi Tabaku.