Kryetari i komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas vendimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), i cili la në fuqi vendimin e “Home Office”, lidhur me përjashtimin e tij nga Britania e Madhe.
“Në gusht të vitit 2022, unë fillova procedurën e kundërshtimit të vendimit të State Secretary of Home Department (Home Office) të BM për përjashtimin tim nga ky vend, që m’u komunikua në datë 21 Korrik 2022, fillimisht nga Edi Rama në parlament dhe pastaj nga qeveria britanike. Procedura e ankimimit parashikonte fillimin e detyrueshëm të saj pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), përpara se palët të shkojnë në gjykatë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “procesi në SIAC është vonuar përtej çfarëdolloj afati të arsyeshëm për të penguar zbulimin e të vërtetës”.
“Ky proces përfundoi sot, pas dy vitesh, me lënien në fuqi të vendimit të ‘Home Office’ nga Komisioni i Apelimit, duke dëshmuar kështu dështimin e plotë të këtij komisioni në goditjen e korrupsionit në segmente të administratës së Britanisë së Madhe”, tha ai.
Berisha u shpreh se “jo vetëm që SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vetë, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundërshtarëve të tij politikë Rama, Basha, Veliaj”.
SIAC gjithashtu pohon në vendimin e tij se nuk ka vlerësuar fare mijëra faqe prova dhe deshmi të paraqitura nga avokatët e Berishës, me pretendimin se janë paraqitur jashtë afati. Ndërkohë që ato janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë të Home Office nuk ia kanë paraqitur Sekretares të këtij institucioni me qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjejn e tyre dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin më pas nga SIAC, meqë Sekretarja nuk i kish patur para saj në momentin e marrjes së vendimit”, u shpreh Berisha, ndërsa akuzoi ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King Smith për përjashtim të qëllimshëm të provave.
Berisha tha se “nuk ka asnjë provë apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga lideri i opozitës, por duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar por që pranon të marrë refugjatë sipas dëshirës së kërkuesve/lobuesve”./ata