Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shënon sot 7-vjetorin e konstituimit të tij dhe vitin e fundit të mandatit kushtetues.
Më 17 qershor 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nisën punën për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë këtyre 7 viteve, 12 anëtarët e Komisionit në bashkëpunim me njësinë ligjore dhe stafin administrativ kanë kryer një proces të cilin nuk e konsideruan vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe përgjegjësi e lartë personale për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie, të pavarur e të paanshëm.
Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë, ndërsa sot, më 17 qershor 2024 numëron në total 768 vendime, prej të cilave 349 konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim nga detyra, 110 vendime për pushim/ndërprerje procesi, 50 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime për pezullim nga detyra.
Komisionit i kanë mbetur për të rivlerësuar vetëm 37 subjekte duke përmbyllur me sukses listën e plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).
Gjatë 7 viteve të funksionimit të tij, me mbështetjen dhe ekspertizën profesionale të pakursyer të ONM-së, Komisioni ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit.
Ndërsa mandati kushtetues po i afrohet përmbylljes, në këtë datë të shënuar, KPK vlerëson mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë, Kuvendi, mediat dhe gjithë bashkëpunëtorët e këtij rrugëtimi që sipas KPK-së, jo vetëm shërbeu për vetting-un e sistemit të drejtësisë, por edhe avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian./ata