Bota ka humbur 2.4% të sipërfaqes pyjore ndërmjet viteve 2000-2020, kryesisht nga kthimi i pyllit në tokë bujqësore, zjarret dhe ndikimi i sektorëve të tjerë, ndërsa në Shqipëri sipërfaqja pyjore e vendit është shtuar me 2.5% gjatë kësaj periudhe.
Shqipëria kishte shtesën me të ulët të sipërfaqes pyjore në Gadishullin e Ballkanit.
Banka Botërore publikoi ndryshimin e inventarit të pyjeve në 20 vite dhe vuri i re se dëmet më të mëdha më rënien e sipërfaqeve të pyjeve ishin në Afrikë dhe në vendet e Amerikës Jugore, ndërsa në shumicën e shteteve në Europë dhe Azia sipërfaqja e pyjeve u rrit.
Pyjet kërcënohen nga shpyllëzimi dhe degradimi. Banka referon se, pyjet e degraduara janë dëmtuar nga aktivitetet njerëzore si prerja e pyjeve ose ngjarjet klimatike dhe mjedisore si zjarret etj.
Në nivel global, midis viteve 2000 dhe 2020, sipërfaqja pyjore ra me 100 milionë hektarë, një sipërfaqe e ngjashme me atë të Egjiptit apo Tanzanisë. Por shkalla e shpyllëzimit ka rënë nga 16 milionë hektarë në vit në vitet 1990 në 10 milionë hektarë në vit gjatë periudhës 2015-2020. Shumica e shpyllëzimeve ndodhin në rajonet tropikale, ndërsa pyjet e reja krijohen kryesisht në zona të tjera. Duke pasur parasysh se pyjet tropikale reduktojnë nivele më të larta të karbonit dhe sigurojnë habitat për më shumë specie sesa llojet e tjera të pyjeve, humbjet e tyre janë më shumë të dëmshme për emetimet globale të CO2 dhe për biodiversitetin, referon BB.
Arsyet e shpyllëzimit ndryshojnë shumë nga vendi në vend. Psh Paraguai humbi pothuajse 30 për qind të pyjeve të tij midis viteve 2000 dhe 2020, kryesisht për të kthyer tokën në shërbim të blegtorisë. Në kontrast Vietnami zbatoi politika që kufizojnë prerjet e pyjeve dhe rriti sipërfaqen me 23 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Vendet me pyje tropikale dhe sub-tropikale panë humbje të mëdha midis 2000 dhe 2020.
Humbja e pyjeve me pemë përgjatë 2000 dhe 2021 në rang global ishte 11%. Pyjet pastrohen për të prodhuar mallra në shkallë të gjerë, si soja, vaji i palmës, letra, etj ose dëmtohen duke krijuar miniera ose energji.
Rritja e thatësirave dhe valëve te të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimatike kanë bërë që zjarret të bëhen një nxitës më i rëndësishëm i humbjes së pemëve gjatë dekadave të fundit. Në vitin 2021, më shumë se një e katërta e humbjes globale të pyjeve me pemë ishte për shkak të zjarreve. Zjarret e egra ndodhin kryesisht në pyjet e buta në Amerikën e Veriut, Evropë, Rusi dhe Australi./Monitor