Remitancat janë një burim jetik financimi dhe ndihme për shumë familje shqiptare dhe më gjerë, për ekonominë.

Banka Botërore bën të ditur se, 1.9 miliardë euro janë dërguar nga diaspora gjatë vitit 2023 tek familjet e tyre në Shqipëri.

Banka Botërore e sheh anëtarisimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA), një mundësi të madhe për bizneset dhe qytetarët.

BB vlerëson se, faza e dytë e Programit të saj për Remitancat dhe Pagesat, i financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike synon të sigurojë që dërgesat e emigrantëve të kanalizohen përmes rrugëve të besueshme dhe me kosto efektive.

Sipas BB, nëse Shqipëria futet në pagesat digjitale europiane, ekonomia do pësoje rritje  me 1% të PBB dhe remitancat do të jenë më të mëdha për shkak të interesave më të ulëta. Emigrantët dhe qytetarët parashikohet të kursejnë deri në 100 milion euro vetëm nga ulja e kostove të dërgesave.

“Përmbushja e objektivit 3% të Qëllimeve për Zhvillim të Qendrueshëm të Kombeve të Bashkuara për kostot e remitancave, mund të zhbllokojë potencialisht 100 milionë euro në kursime për migrantët dhe familjet e tyre”, vuri në dukje Banka Botërore./ata