Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur rreth deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili i ka quajtur “spekulime”, deklaratat e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi për largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“Çfarë mendoni për deklaratat e zëdhënësit të BE-së, i cili i ka quajtur spekulime deklaratat e zëvendëskryeministrit dhe a keni pritshmëri që do të largohen masat”, ka qenë pyetja e gazetarit gjatë përurimit të Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kurti, refuzoi të përgjigjet në pyetjen për pritshmëritë që ka rreth largimit të masave të BE-së, por tha që “s’mendoj që duhet të spekuloj për spekulime”.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të raportit të përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë aktorët jashtë bllokut evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve./Tema