Komisioni i Posaçëm të Reformës Zgjedhore u mblodh këtë të enjte për të diskutuar hapat e mëtejshëm që do të ndiqen në hartimin e drafligjit të ndryshimeve në kodin elektoral.

Në kuadër të punës për draftimin e kodit të ri elektoral, javën e ardhshme do të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e OSBE-ODIHR, të cilët do të punojnë bashkë me Komisionin për produktin final.

Komisioni vendosi që më datat 13-14 mars 2024 të zhvillohet një tryezë diskutimi i ekspertëve të Komisionit me ekspertët e OSBE/ODIHR, për të diskutuar së bashku rekomandimet e ODIHR si edhe për të diskutuar gjetjen e zgjidhjeve lidhur me çështje si metodologjia për votën e diasporës, herësin apo propozimet e tjera të partive politike për ndryshimin e zonave zgjedhore.

Me propozimin e z. Damian Gjiknuri dhe me dakordësinë e bashkëkryetarit z.Enkelejd Alibeaj u vendos që në këtë tryezë të jenë të pranishëm vetëm ekspertët ligjor të komisionit dhe ata të partive politike.

Gjatë punimeve në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i Partisë Demokratike, ritheksoi qëndrimet e selisë blu, për lejimin e votës së diasporës, Shqipërisë një zonë elektorale, votimi e numërimi elektronik dhe listat e hapura.

Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste tha se edhe PS do të shtrojë në tryezë përmes ekspertëve të saj propozimet e mazhorancës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në përfundim, Komisioni miratoi procesverbalet e dy mbledhjeve të kaluara./ata