Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të homologut të tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon, zbatimi i agjendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ishin në fokus të bisedës mes Presidentit Begaj dhe Presidentit Steinmeier.
"Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, falënderoi homologun e tij gjerman për pritjen e rezervuar si një mundësi për vazhdimin e diskutimit të nisur gjatë vizitës së Presidentit Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim. Ky takim sipas Presidentit Begaj është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar", theksohet në njoftim.
Më tej thuhet se Presidenti Begaj i përcolli Presidentit Steinmeier falënderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO.
Përsa u përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Begaj u shpreh se roli dhe angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm "në mënyrë që sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor të mos ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen auro-atlantike".
Sipas Presidentit Begaj, Procesi i Berlinit mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e bashkëpunimit, integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin me tregun e vetëm evropian.
Pas Berlinit, Presidenti Begaj do të zhvillojë një vizitë në Hamburg, ku do t’u bashkohet tifozëve kuqezi për të mbështetur Kombëtaren e Shqipërisë në përballjen me Kroacinë në "EURO 2024"./aa