Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është takuar me ambasadorin e Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit, bashkëbiseduesit u pajtuan që të dy vendet kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer miqësor.
"Kryetari Gashi falënderoi për mbështetjen e përgjithshme që Republika e Türkiyes i ka dhënë vendit tonë që nga pavarësia e deri më tani. Për nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë dëshmon edhe intensiteti i takimeve të nivelit më të lartë. Vendet janë të lidhura me lidhje historike dhe kulturore dhe qytetarët e komunitetit turk në vend janë urë lidhëse mes dy vendeve", thuhet në njoftim.
Kryeparlamentari Gashi rikujtoi gjithashtu se në Maqedoninë e Veriut rregullisht festohet 21 dhjetori, Dita e Mësimit të Gjuhës Turke, në të cilën tradicionalisht merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Türkiyes.
"Në të dy parlamentet janë themeluar dhe funksionojnë me sukses grupet parlamentare për miqësi dhe bashkëpunim, si dhe ka bashkëpunim të frytshëm në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare. Në aspektin ekonomik, kulturor dhe arsimor, marrëdhëniet e ndërsjella janë në nivelin më të lartë. Republika e Türkiyes është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe një vend që vazhdimisht investon në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm dhe shfaqet si partner strategjik investues", thuhet në njoftim.
Gashi kujtoi gjithashtu se Türkiye ishte një mbështetëse parimore e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në fund të takimit, të dyja palët shprehën bindjen se bashkëpunimi i frytshëm në nivelin më të lartë parlamentar dhe shtetëror do të vazhdojë edhe në përbërjen aktuale parlamentare, me vizita të ndërsjella./aa