Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Rafa Nadal ku u bë me dije planet për hapjen e kompleksit Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri.
Qyteti bregdetar i Durrësit (30 km nga Tirana) do të presë një kompleks multi-sportiv që do të zbatojë metodologjinë e trajnimit të Akademisë Rafa Nadal by Movistar.
Kompleksi i ri, qëllimi kryesor i të cilit është të zhvillojë dhe promovojë tenisin dhe sportin në Shqipëri, do të ritheksojë angazhimin e Rafa Nadal dhe ekipit të tij ndaj vlerave në sport dhe edukimit të fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.
Vetë Rafa Nadal ishte shumë i kënaqur me lajmin: “Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri. Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses”.
Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.
Në një takim që u zhvillua në hotelin e sapo hapur ZEL Costa Brava, kryeministri Rama konfirmoi se kompleksi i ri do të vendoset pranë qendrës së re të futbollit të Manchester City dhe tha disa fjalë të mira për Rafën: “Ka shumë kampionë dhe profesionistë të mëdhenj në botën e sportit, por nuk ka shumë kampionë të jetës dhe të vlerave njerëzore si Rafa. Nga larg, gjithmonë kam pasur përshtypjen se Rafa ishte një njeri i madh, por tani kam edhe më shumë admirim për modestinë e tij dhe mënyrën se si ai i qaset jetës. Mendoj se vlera e kësaj qendre do të qëndrojë jo vetëm në të mësuarit e tenisit apo sporteve të tjera, por edhe në të ndihmuarit e fëmijëve dhe të rinjve për të kuptuar se sa e rëndësishme është të jesh një profesionist dhe një person i mirë”.
Deri më tani, zgjerimi ndërkombëtar është mundësuar nga Akademitë dhe komplekset e quajtura Qendrat e Tenisit Rafa Nadal. Qendrat Sportive Rafa Nadal kanë lindur si një linjë e re qendrash sportive të frymëzuara nga Akademia Rafa Nadal (Mallorca) që vendosen pranë kompleksesh pushimi të klasit të parë, duke ofruar vlerë të shtuar për vizitorët, ose në qytetet ndërkombëtare, që synojnë të kënaqin dhe kërkesat e banorëve.
Me ambiente sportive moderne dhe me një gamë të gjerë programesh sportive, komplekset e Qendrës Sportive Rafa Nadal do të ofrojnë një eksperiencë të pakrahasueshme për adhuruesit e tenisit dhe sportit në përgjithësi. Fëmijët dhe të rriturit do të mund të përfitojnë nga shkollat e tenisit dhe padelit, si dhe nga shërbimet e fitnesit, mirëqenies, shëndetit dhe restorantit, që synojnë krijimin e një mjedisi sportiv, të shëndetshëm dhe mikpritës./ata