Forcat e sigurisë në Türkiyen lindore neutralizuan pesë terroristë, duke përfshirë një në kategorinë e kuqe të më të kërkuarve, tha sot ministri i brendshëm i vendit, Ali Yerlikaya.

"Pesë terroristë u neutralizuan në zonat rurale të rrethit Doğubayazit në provincën Ağrı dhe fshatin Palamut në rrethin Hasankeyf të provincës Batman, në operacionet ‘BOZDOĞAN-43’", tha Yerlikaya në X.

Autoritetet turke përdorin termin "neutralizim" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Një nga pesë të neutralizuarit në operacione ishte një terrorist i quajtur Yılmaz Öner, vuri në dukje Yerlikaya.

Öner, i njohur edhe me emrin e tij të koduar Şehmus Malazgirt, kërkohej në kategorinë e kuqe të listës së koduar me ngjyra të Ministrisë së Brendshme. Lista është e ndarë në pesë kategori, ku e kuqja paraqet më të kërkuarit, e ndjekur nga e kaltra, jeshilja, portokallia dhe grija.

Tre terroristë të tjerë kërkoheshin në kategorinë portokalli.

Yerlikaya tha se Öner kishte marrë pjesë në 18 sulme terroriste që kanë marrë jetën e 27 pjesëtarëve të sigurisë dhe katër civilëve, ndërsa 68 pjesëtarë sigurie dhe dy civilë janë plagosur.

Është përcaktuar gjithashtu se Öner ka dhënë urdhrin për ato sulme terroriste, shtoi ai.

Në fushatën e saj terroriste gati 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK - e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja - ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja./aa