61 bashkitë në vend janë “hedhur në sulm” duke rritur në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat e tyre përgjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën 5 mujore, Janar-Maj të këtij viti, të ardhurat e pushtetit vendor regjistrohen në 18 miliardë lekë nga 12.4 miliardë lekë që ishin në 5 mujorin e vitit 2023, me një rritje prej 5.6 miliardë lekësh apo rreth 56 milionë euro.
Ndër zërat kryesor që kanë gjeneruar këto të ardhura vihet re një rritje e konsiderueshme nga taksat lokale, ku janë mbledhur në total 14.2 miliardë lekë apo 4.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. E thënë ndryshe, rritja regjistrohet në 32.4 për qind.
Duke qenë se taksa kryesore që furnizon bashkitë është taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, me një peshë prej 63 për qind në raport me taksat dhe tarifat e tjera, shifrat tregojnë se bumi i ndërtimeve, qoftë në kryeqytet por edhe në zonat bregdetare kryesisht, ka bërë që pushteti lokal të ketë të ardhura më të majme. Po ashtu ndikim në këtë pjesë ka pasur edhe rritja e çmimeve të referencës në kryeqytet, pasi Tirana është edhe bashkia që mbledh më shumë të ardhura në krahasim me 60 njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore.
Po ashtu ndikim në këtë perfomancë duket se ka dhënë edhe taksa e hotelit e cila paguhet për netëqendrimi, ku me shtimin e numrit të turistëve përgjatë këtij viti, shifër që ka pësuar një rritje prej 38 % këtë vit, dhe rrjedhimisht janë derdhur më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive. Nga ana tjetër , të dhënat nga tregu i pasurive të paluajtshme tregojnë një shtim të numrit të transaksioneve, duke bërë që edhe në këtë drejtim të hyrat nga ransferimi i pronësisë në buxhetet e bashkive të jenë të më të larta.
Sa i takon taksës mbi pasurinë, në 5 mujor, janë arkëtuar 3.8 miliardë lekë, me një rritje prej 1.1 miliardë lekësh në raport me një vit më parë. Kjo taksë mblidhet kryesisht në bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, etj./Tema