Pasdite vere në Hamburg, 19 qershor. Stadiumi i tejmbushur me tifozët e Kombëtares jehonte para, gjatë dhe pas ndeshjes Kroaci 2-2 Shqiperi. Kuqezinjtë për herë të dytë po luajnë në një nivel të tillë dhe Europiani 2024 është më shumë se thjesht futbolli.

Heroi i djeshëm që i dha pikën e parë të këtij eventi tanëve quhet Klaus Gjasula, i cili priti moshën 34-vjeçare dhe pak minuta në fushë për t'u bërë heroi i një kombi.

I futur në fushë në minutën e 72-të, Gjasula u duk se ishte rishtar në tapet dhe e humbi kontrollin kur pas një "ping-pongu" në zonë e dërgoi topin në rrjetën e Shqipërisë, me kroatët që për momentin përmbysën 2-1 ndeshjen.

Vetëm shtatëlarti mund ta tregojë se çfarë ka ndjerë në ato momente, kur në fushë u fut me avantazhin e Shqipërisë dhe vetëm katër minuta lojë pa një përmbysje nga Kroacia.

Megjithatë 19 qershori ishte dita e tij. Në shtesën e pestë të ndeshjes goli i Klaus Gjasulës i dha barazimin 2-2 tanëve dhe pikën e parë në Grupin B, teksa ai u fut në histori si lojtari i parë që në një Kampionat Europian hyn nga stoli dhe shënon autogol dhe gol.

Diçka e tillë i ndodhi në Hamburg, stadiumin ku ka luajtur për një sezon me ekipin e këtij qyteti që i ndikuar nga një dëmtim nuk mundi të tregonte më të mirën në fushë.

Por Gjasula ka një të shkuar interesante, kur vetëm pas gjashtë muajve jetë, në vitin e largët 1990 i duhej të përballej me largimin e familjes së tij në Gjermani, në kohën e eksodit në Shqipërinë post-komuniste.

Në foto duket Gjasula i vogël që në 2 korrikun e 1990 ishte një nga personat që hynë në Ambasadën e Gjermansië në Tiranë, fill pas revoltave. Prindërit nuk mund të linin dy vëllezërit Jurgen dhe Klaus pa i marrë me vete, teksa ajo kohë shënjoi edhe karakterin luftarak të mesfushorit të Kombëtares.

Pas mbërritjes në Gjermani dhe edukimit në këtë vend, dyshja u përkushtua me sportin dhe konkretisht futbollin, duke luajtur në Bundesligë. Më herët se Klausi, edhe Jurgeni ka qenë pjesë e kuqezinjve, teksa historia e tyre është frymëzuese./Shqiptarja

Klaus Gjasula foshnje në Ambasadën gjermane