Tkurrja e vazhdueshme e popullsisë shqiptare duket se po kursen edhe buxhetin e shtetit nga detyrimi ligjor për të dhënë bonusin e lindjes për bebet që vijnë në jetë.  Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për periudhën Janar-Maj 2024 janë dhënë për bebet 800 milionë lekë,  nga 1.2 miliardë lekë të dhëna në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke kursyer kështu 400 milionë lekë.

Si faktor kryesor në këtë shifër shpenzimesh ka ndikuar rënia e lindshmërisë, ku sipas të dhënave të INSTAT,  numri i lindjeve për tremujorin e parë 2024 është 5.056, duke shënuar një rënie me 6,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023.

Nga ana tjetër, në këtë rënie të pagesave nga buxheti i shtetit për këtë program ka ndikuar edhe iniciativa e cila u miratua vitin e kaluar, ku emigrantëve shqiptarë të cilët sillnin në jetë fëmijë jashtë vendit, iu hoq e drejta për të përfituar këtë shpërblim me argumentin se qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.

Bonusi i lindjes është vendosur në formën e ndihmës së menjëhershme financiare për prindërit me foshnja të porsalindura që nga viti 2019.  Ndihma e dhënë është në masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim.

Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit është masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë dje  për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh masa e përfitimit është  120 mijë lekë për secilën foshnjë.

Por pavarësisht situatës ekonomike në të cilën ka kaluar vendi gjatë këtyre viteve, rritjes së kostos së jetesës për shkak të luhatjes së çmimeve, masa e mbështetjes nuk është rishikuar. Përgjatë këtij viti fondi total është parashikuar 2.2 miliardë lekë, ndërsa në 2023-shin, tejkaloi nivelin prej 3.3 miliardë lekësh./Tema