Kryetari i demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha, tha sot se, Berishës i ka mbetur në dorë vula dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se ish-kryeministri po përdor demokratët për t’u mbrojtur nga drejtësia, SHBA dhe Britania e Madhe.
“E kuptoj që Sali Berishës i ka mbetur vula në dorë dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm. Pazari me Ramën për t’i lënë atij pushtetin, është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm”, shkruan Basha.
“Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di që vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës. Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, ndërsa, në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin që e ka mbërthyer për fyti Shqipërinë”, u shpreh ai.
“Prandaj dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige. Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim”, përfundon Basha./ata