Përmeti karakterizohen nga një natyrë tejet piktoreske dhe cilësohet si një nga “perlat” e turizmit shqiptar, që çdo vit tërheq mijëra turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente magjike nga Përmeti, një tjetër destinacion për adhuruesit e natyrës, sportit të aventurës, kuzhinës tradicionale dhe trashëgimisë historike.
“Eja në Përmet. Destinacioni pa det që ja vlen çdo verë”, shkroi Rama.
I vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, qyteti shtrihet thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Përmeti ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.
Në Përmet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.
Një vend të veçantë zënë kishat, si ajo e Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.
Ndërsa vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj./ata