Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi sot interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu një ditë pas ekzekutimit të 7 masave të sigurisë për mjekë të spitalit Onkologjik, pas zbulimit se orientonin pacientët drejt privatit.
Në shkresën drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, grupi i PD-së shkruan se “korrupsioni galopant i Spitalit Onkologjik, pranë “Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”, i kalon përmasat thjesht të një abuzimi të disa mjekëve”.
Në shkresë thuhet se sistemi i Shëndetësisë tashmë prej 11 vitesh keqqeverisje në vend, përballet me abuzime të njëpasnjëshme duke ofruar një shërbim shëndetësor me kosto të rritura për qytetarët dhe aspak pranë nevojave të tyre.
Gjithashtu, në kërkesë theksohet se “është e paprecedentë dhe fyese për qytetarët shqiptarë që përgjegjësia të kufizohet vetëm ndaj disa mjekëve abuzues, ndërkohë që ky nuk është një rast sporadik dhe i izoluar i korrupsionit pranë Onkologjikut”.
Në këtë kontekst, thuhet në shkresë, “kërkesa jonë për interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është domosdoshmëri që vjen nga vullneti i opinionit publik dhe qytetarëve për këtë rast të paprecedentë që kërkon mbajtje përgjegjësie të plotë nga institucionet përgjegjëse”, përfundon shkresa./ata