Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se pagat në sektorin e burgjeve do të kenë një rritje që shkon nga 13-27 % dhe se përfitues do të jenë 3430 punonjës.
“Nga politika për rritje page ka përfituar edhe sektori i burgjeve ku përfshihen Policia e Burgjeve, stafet mjekësore dhe ato civile. Nga kjo rritje do të përfitojnë 3430 punonjës të policisë së burgjeve. Rritja e pagave varion nga 13-27 % mesatarisht 15.12 %”, deklaroi ai, në një prononcim pr mediet pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas Manjës, nga vendimi i sotëm i qeverisë përfitues janë edhe kandidatët për t’u bërë pjesë e policisë së burgjeve, të cilët do të bëhen pjesë e strukturës dhe organikës dhe do të paguhen nga data 1 korrik me 80 % të pagës së inspektorit.
“Rritja prej 15.12 % mesatarisht përfshin vetëm njërin nga elementët e pagës, atë bruto, pasi vendimi parashikon rritje tek të gjithë elementët e tjerë të pagës si vjetërsia, shtesa për natyrë të veçantë të punës dhe kompensimin e normës ushqimore. Kjo rritje në vlerë e pagës brutë do të variojë nga 6 mijë në 33 mijë e 600 lekë. Kjo nuk do të jetë rritja e fundit e pagave”, tha ai./ata