Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim në vendimin “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”.

Sipas këtij vendimi për natyrë të veçantë pune disa kategorive do t’u jepet një shtesë mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse.

Nga ky vendim do të përfitojnë: punonjësit e sektorit të teknikës së shtypshkrimit në Qendrën e Botimeve Zyrtare, në masën 14 000 lekë në muaj; punonjësit shpëtues të sektorit të emergjencave dhe shpëtimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në masën 9 000 lekë në muaj; punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në masën 9 000 lekë në muaj; punonjësit në pozicionin “shofer-mekanik” në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, në masën 9 000 lekë në muaj.

Po ashtu do të përfitojnë edhe punonjësit, të cilët punojnë në shërbimet e shëndetit mendor e që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët me probleme të shëndetit mendor, në masën 9 000 lekë në muaj. Ministri përgjegjës për çështjet e shëndetësisë përcakton vendet e punës, që përfitojnë këtë shtesë me miratimin e strukturave të institucioneve shëndetësore përkatëse.

Nga vendimi përfitojnë po ashtu punonjësit, të cilët punojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit, në masën 9 000 lekë në muaj. Kjo shtesë aplikohet pas miratimit të strukturave të institucioneve të ekzekutimit të veprave penale përkatëse, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë.

Po ashtu nga vendimi do të përfitojnë: punonjësit në pozicionin “shofer” në urgjencën e spitaleve, në masën 14 000 lekë në muaj; punonjësit në pozicionin “rojë mjedisore” në administratat e zonave të mbrojtura, në masën 8 000 lekë në muaj; punonjësit në pozicionet “përgjegjës (shërbimi i ushqimit dhe restorantit)”, “kuzhinier”, “administrues hoteli” dhe “ndihmëskuzhinier” në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Durrës, në masën 9 000 lekë në muaj; punonjësve në pozicionet “laborant” dhe “teknik i mesëm aparaturash” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 19 000 lekë në muaj.

Ndërsa punonjësit në pozicionin “punëtor mirëmbajtjeje (krematoriumi)” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë do të përfitojnë në masën 14 000 lekë në muaj.

Po ashtu vendimi parashikon që punonjësit në pozicionet “mjeshtër ndriçimi/fonie” dhe “mjeshtër rrobaqepës” në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor përfitojnë në masën 24 000 lekë në muaj; punonjësit në pozicionet “mjeshtër skene”, “mjeshtër parukier-grimier”, “mjeshtër garderobier”, “mjeshtër marangoz”, “mjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër grimier”, “mjeshtër dekori”, “mjeshtër rekuizite” “ndihmësmjeshtër rrobaqepës”, “ndihmësmjeshtër rekuizitier”, “ndihmësmjeshtër dekorator”, “ndihmësmjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër marangoz”, “ndihmësmjeshtër i mekanikës skenike”, “ndihmësmjeshtër parukier-grimier” dhe “ndihmësmjeshtër gardërobier”, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në masën 14 000 lekë në muaj.

Ndërsa punonjësit në pozicionet “mjeshtër ndriçimi/fonie” në Teatrin Kombëtar, do të përfitojnë në masën 24 000 lekë në muaj; punonjësit në pozicionet “mjeshtër skene”, “mjeshtër parukier-grimier”, “mjeshtër garderobier”, “mjeshtër marangoz”, “mjeshtër këpucar”, “mjeshtër dekori”, “mjeshtër rekuizite” “ndihmësmjeshtër grimier”, “ndihmësmjeshtër ndriçim/fonie”, “ndihmësmjeshtër rekuizitier”, “ndihmësmjeshtër dekorator”, “ndihmësmjeshtër këpucar”, “ndihmësmjeshtër marangozerie”, “ndihmësmjeshtër i mekanikës skenike”, në Teatrin Kombëtar, në masën 14 000 lekë në muaj.

Vendimi parashikon që punonjësit në pozicionin “magazinier”, në Kryeministri, përfitojnë në masën 23 000 lekë në muaj; punonjësit e tjerë mbështetës dhe punonjësit e tjerë të specialiteteve të ndryshme në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës dhe në institucionet e pavarura në nivel qendror, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, në masën 8 000 lekë në muaj; punonjësit mbështetës dhe punonjësit e tjerë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, në masën 4 000 lekë në muaj”.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, përballohen nga buxheti i miratuar dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2024./ata