Me urdhër të komandantit të sapoemëruar të ushtrisë boliviane, Jose Wilson Sanchez, ushtarët që tentuan të kryejnë grusht shteti u kthyen në njësitë e tyre.

Sanchez, komandanti i ri i ushtrisë i sapoemëruar nga presidenti Luis Arce, dha deklarata në një konferencë për media. Duke dënuar kryengritjen ushtarake, Sanchez tha: "Urdhëroj të gjithë ushtarët dhe personelin në rrugë dhe sheshe të kthehen në njësitë e tyre".

Pasi bëri të ditur se kanë marrë përgjegjësi "të madhe", Sanchez deklaroi: "Jam i nderuar që më kanë vlerësuar të denjë për një detyrë të tillë. Falënderoj presidentin dhe ministrin e Mbrojtjes që na besuan ne. Jemi përballë pamjeve që askush nuk dëshiron t'i shohë nëpër rrugë dhe sheshe. Si komandant i ri i ushtrisë, dua të theksoj se nuk do të lejojmë veprime jo demokratike".

Në lajmet e mediave pretendohet se kryengritja ushtarake u drejtua nga ish-komandanti i ushtrisë Jose Zuniga, i cili u shkarkua më 25 qershor. Pretendohet se Zuniga kundërshton kandidaturën e ish-presidentit Evo Morales në zgjedhjet presidenciale që priten të mbahen në vitin 2025 dhe se qeverisë i ka përcjellë shqetësimin e tij.

Ushtarët e udhëhequr nga Zuniga u përpoqën të merrnin kontrollin e pallatit qeveritar dhe të formonin një këshill të ri ministrash, thuhet në lajmin ku bëhet e ditur se Zuniga i cili kërcënoi në mënyrë të "qartë" Moralesin ka thënë: "Ne nuk do ta lejojmë atë të shkelë kushtetutën dhe të mos i bindet autoritetit të dhënë nga populli. Forcat e armatosura janë krahu i armatosur i atdheut. Do ta marrim këtë atdhe nga ata. Vendi ynë nuk mund të vazhdojë më shumë në këtë mënyrë"./aa