Miratohen ndryshimet në ligjin për Shërbimin Veterinar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se, ndryshimet e rëndësishme në ligjin për Shërbimin Veterinar që synojnë përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve mjekësore veterinare, rritjen e përgjegjësisë dhe efikasitetit të autoriteteve veterinare dhe harmonizimin me standardet e BE-së, tashmë janë miratuar në Qeveri.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmes këtij ligji ndërmerr një hap të madh drejt modernizimit të shërbimeve veterinare dhe përafrimit me standardet e BE-së, nënvizoi Denaj.

Ministrja theksoi se, mbështetja dhe miratimi i këtyre ndryshimeve tregon përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore në Shqipëri.

Denaj u shpreh se, ky ligj sjell përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve mjekësore veterinare, rritje të përgjegjësisë dhe efikasitetit të autoriteteve veterinare në Shqipëri si dhe harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së./ata