Gjykata Kushtetuese shfuqizoi sot pjesërisht disa nene të ligjit për profesionet e lira.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj komunikoi sot vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin për profesionet e lira, ku thuhet se “nuk u respektua parimi i sigurisë juridike si dhe parimi i proporcionalitetit”.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe këto kategori do të duhet të taksohen në 2029-ën si të gjitha bizneset e tjera të vogla.

“Tatimi 15% ndaj kësaj kategorie filloi të zbatohej menjëherë pa u dhënë kohë të përshtateshin. Norma 15% nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi vetë ligjvënësi e ka përjashtuar për kategoritë e tjera”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

“Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit dhe neni 4 i VKM-së, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit”, vijoi Zaçaj.

Sipas saj, “Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore”.

“Sa më sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 dhjetor 2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat”, vlerësoi Zaçaj.

“Shfuqizimi i nenit 69 pika (dh), fjalia e dytë dhe e tretë sjell si pasojë mosaplikimin e tatimit 15% menjëherë dmth që nga 1 janari 2024 për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale me argumentin se këtyre tatimpaguesve nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përshtatur me këtë tatim, pasi lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023, pra vetëm disa ditë përpara fillimit të efekteve të ligjit”, sqaroi Zaçaj.

Nga ana tjetër, Gjykata i ka rrëzuar kërkesat në lidhje me vetë masën e tatimit 15% dhe 23% të parashikuar në nenin 24 (2) të ligjit për shkak se (siç nënvizohet edhe nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut), përcaktimi i kategorive dhe masës së tatimit mbeten brenda hapësirës së gjerë të vlerësimit dhe përgjegjësise kushtetuese të ekzekutivit dhe legjislativit.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e dy neneve të ligjit. Po ashtu. Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit./ata