Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mori pjesë sot në Samitin e Shefave të Policisë së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Në fjalën e tij Balla u shpreh se, “sot mblidhemi me një angazhim të përbashkët për t’u përballuar me dy sfida kritike të kohës sonë: parandalimin e konflikteve dhe ruajtjen e paqes. Konflikti dhe dhuna, qofshin të nxitura nga faktorë politikë, social apo ekonomik, shkaktojnë vuajtje dhe pengojnë përparimin drejt një bote paqësore. Ato ndajnë shoqëritë, zhvendosin familjet dhe zbehin shpresat”.

“Sot më shumë se kurrë përballemi me sfida të shumta në fushën e sigurisë dhe rendit publik, krimeve të organizuara, trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimeve kibernetike që janë kërcënime globale, pa kufij dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar”, nënvizoi Balla.

“Të gjithë ne, në këtë Samit, e dimë që drogat sintetike janë vrasësi numër një i amerikanëve të moshës nga 18 deri në 45 vjeç. Llojet e drogave sintetike që prekin vendet anembanë globit mund të ndryshojnë. Në disa vende mund të jetë methamphetamine ose ketamine, në vende të tjera tramadol, captagon, fentanyl”, tha Balla.

Ai u shpreh se, “duke qenë përgjegjës për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë, ne duhet të ndërmarrim veprime të forta kundër prodhimit, trafikimit, përdorimit, varësisë dhe vdekjeve nga mbidozat e drogave sintetike”.

“Policia është një shërbim publik thelbësor që punon në interes të publikut, duke forcuar besimin dhe besueshmërinë publike, dhe duke marrë krenari në ofrimin e një shërbimi të shkëlqyer për publikun. Për të fituar besimin e publikut, forcat dhe shërbimet e policisë duhet të përqafojnë standarde të larta ndershmërie, integriteti dhe sjelljeje etike, në lidhje me kryerjen e funksioneve të tyre policore. Publiku meriton të ketë besim të plotë tek oficerët e policisë, që janë ngarkuar me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve”, theksoi Balla./ata