Studentë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën sot në Tiranë për të kuptuar më mirë se si funksionon BE-ja në praktikë.
Ky aktivitet, që u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, së bashku me Kolegjin e Evropës dhe Institutin e Studimeve Evropiane (Universiteti i Tiranës), u mundësoi studentëve të mësojnë nga ekspertët më të mirë se si tre institucionet e BE-së – Parlamenti Evropian, Këshilli, Komisioni – negociuan Aktin Evropian të Lirisë së Medias, një pjesë kyçe e legjislacionit të BE-së.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në fjalën e tij u shpreh se, “ndërsa Shqipëria i afrohet BE-së, është thelbësore që brezi i ri të kuptojë se si funksionon BE”.
“Bashkimi Evropian nuk është thjesht burokraci, ai është një sistem politik i gjallë i bazuar në vlerat demokratike dhe kontrolle dhe ekuilibra të fuqishëm. Sot, studentët shqiptarë patën shansin të përjetojnë drejtpërdrejt natyrën konsensuale të qeverisjes së BE-së dhe kompleksitetin e saj”, tha ai.
“Shpresoj që ky aktivitet t’i ketë frymëzuar që të ndjekin studime apo karrierë të mëtejshme në këtë fushë”, theksoi Gonzato./ata