Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi sot nevojën e rishikimit tërësor të ligjit “Për vullnetarizmin” në Shqipëri.
Gjatë diskutimeve në Kuvend të disa ndryshimeve mbi këtë ligj, Muzhaqi solli në vëmendje një pjesë të shqetësimeve të ngritura nga vetë të rinjtë për kontradiktat dhe kërkesat e tepërta dhe joprofesionale që ligji kishte, në thelb për atë që është një angazhim dhe kontribut shpirtëror pa asnjë lloj interesi financiar në dobi të qyteraëve dhe të komunitetit.
“Problematikat që kemi pasur me ligjin ‘Për vullnetarizimin’ i janë bërë të njohura edhe Kuvendit që në vitin 2022. Që nga ajo periudhë ne patëm një kërkesë nga një numër i madh organizatash të shoqërisë civile që e kishin kthyer si mision rregullimin e këtij ligji. Na kontakluktuan dhe na parashtruan nevojën për adresim të plotë dhe tërësor të problematikave që ligji kishte”, tha ajo.
Muzhaqi theksoi se “ky proces kërkonte rishikimin e ligjit dhe rregullimin e instrumenteve të tij për të krijuar kushtet që të stimulohet dhe mbështetet aktiviteti vullnetar në vend dhe jo për të vendosur barra dhe kufizime të panevojshme për këtë lloj procesi”.
“Shteti duhet të mbështesë dhe të ofrojë garanci për ata që ofrojnë dhe përfitojnë vullnetraizëm, por nuk ka pse të rregullojë dhe as të asfiksojë sektorin. Ndaj kemi filluar një proces dialogu dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, po punojmë për kthimin e ligjit aktual në një ligj efektiv dhe të qëndrueshëm që do të përmirësojë strukturën e vullnetarizmit dhe do të krijojë një mjedis më mundësues për sektorin në Shqipëri”, tha ajo.
Kjo nismë, sipas ministres, “është përfshirë me kërkesën e shoqërisë civile në Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2024-2026”.
“Edhe pse nuk ka Aquis që rregullon këtë sektor në nivel kombëtar, projektligji ka një afat, do të miratohet nga qeveria dhe do të përcillet në Kuvend brenda këtij viti”, tha ajo./ata