Kryetari i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Silvio Gonzato nënvizoi sot rëndësinë e të dhënave të Censit të popullsisë dhe banesave, ndërsa u shpreh se ato janë thelbësore për procesin e integrimit europian.

Gjatë prezantimit të rezultateve të Censit të popullsisë dhe banesave 2023, Gonzato theksoi se Censi siguron të dhëna mbi të cilat ndërtohen politikat dhe ofrohen shërbimet publike.

“Censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e bisedimeve për integrimin në BE. Informacioni i saktë dhe i besueshëm është thjeshtë thelbësor”, tha ai.

Sipas ambasadorit, “të dhënat e Censit i ndihmojnë autoritetet që të ruajnë ritmin me demografikën e shqqërisë moderne që ndryshon me shpejtësi”.

“Shifrat e prezantuara qartësisht tregojnë se kjo zbatohet edhe për Shqipërinë. Shqipëria dhe rajoni përballen me sfida mjaft specifike demografike. Është e rëndësishme që informacione statistikore të besueshme të jenë në dispozicion. Informacioni i saktë shërben për mekanizmat e ngritura për të garantuar të drejtat e pakicave dhe grupeve në nevojë”, tha Gonzato.

Censi, sipas tij, “është po kështu mjaft i rëndësishëm në kontekstin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE”.

“Nuk është pa arsye që në negociatat për anëtarësim me BE-në, kapitulli për statistikat përfshihet në të ashtuquajturit grupkapituj themelorë. Informacioni i besueshëm statistikor është thelbësor. Informacioni në BE nga Censet kombëtare përcakton numrin e votave të shteteve anëtarre në institucionet e BE-së dhe luan rol për kontributet financiare që do të jepen”, shtoi ai.

Ambasadori theksoi se BE ka qenë partnere e INSTAT në këtë proces duke mbështetur Censin.

“Rezultatet që po prezantohen sot do të shihen me kujdes nga shumë aktorë, përfshi edhe nga ne. BE mbeter e përkushtuar në mbështetjen e saj për Shqipërinë, për të zhvilluar më tej sistemin e saj statistikor. Jemi gati të marrim pjesë në këtë diskutim të politikave dhe hartimin e masave të reja që mund të jenë të nevojshme si rezultat i të dhënave”, tha ai./ata